Shqipëri, paralajmërohen protesta pa mbarim
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga protesta para kryeministrisë i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me opozitën.
Sipas tij, e ardhmja e qytetarëve është mes opozitës dhe jo qeverisë së Edi Ramës. “Shqipëria ka 1001 arsye për të qenë vend shprese, për të qenë vend besimi. Edi Rama i trajton shqiptarët si një kolonizator mizor dhe i egër, ndaj dhe ne duhet ta arkivojmë atë sa më parë. Çdo shqiptar që dëshiron dyfishimin e rrogave, pensioneve, ndihmës ekonomike, që do të shkollojë fëmijët në Shqipëri, të bashkohet me ne kundër Edi Ramës. I garantojmë se janë të gjithë potencialet për një paketë antikrizë që çmimet të mos jenë më të larta se në Kosovë e Maqedoni, që rrogat të dyfishohen, që nafta të mos jetë më e shtrenjtë. Ne garantojmë përgjysmimin e taksave për fermerët, garantojmë çmime energjie të paktën tre-katër herë më të ulët se sot. Garantojmë konkurrencë të ndershme dhe treg të lirë. Qytetarëve shqiptarë, që duan të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend, i ftojmë të bashkohen me ne, se e ardhmja është mes nesh. Më mirë të përzëmë një njeri, sesa të përzihemi ne prej tij. Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për besimin, për entuziazmin tonë. T’ia japim ne të gjitha këto dhe ajo do ia kthejë me mirësi çdo shqiptari”, ka thënë ai.Pas përfundimit të protestës, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shkuar në ambientet e selisë së Partisë së tij ku ka dhënë edhe një prononcim për mediet. Meta tha se Edi Rama është i detyruar që të fillojë numërimin mbrapsht. Ai është një shpresëvrasës për popullin e Shqipërisë dhe kjo ndodh për shkak të kapjesh së shtetit. “E kemi bërë të qartë, protestat do të vazhdojnë pa mbarim. Do të vazhdojmë me protesta dhe zgjedhje. Edi Rama është i detyruar që të fillojë numërimin mbrapsht”, tha ai.