Nga reshjet e shiut, vërshime në rajonin e Dukagjinit|Video-Foto
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i135160-nga_reshjet_e_shiut_vërshime_në_rajonin_e_dukagjinit_video_foto
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë nisur që nga dita e djeshme, në Vushtrri ka vërshime, më konkretisht në rrugën Vushtrri-Pestovë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Nëntor 20, 2022 14:33 Europe/Tirane
  • Nga reshjet e shiut, vërshime në rajonin e Dukagjinit|Video-Foto

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë nisur që nga dita e djeshme, në Vushtrri ka vërshime, më konkretisht në rrugën Vushtrri-Pestovë.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në rajonin e Dukagjinit kemi vërshime të mëdha në Pejë, Gjakovë, Istog, Deçan, Junik, etj.

Situatë të ngjashme kemi edhe në viset tjera të vendit, ndonëse me intensitet më të ulët.

Kështu, siç njofton gazetari i RTK-së  nga vendi i ngjarjes, në  komunën e Gjakovës gjendja momentale pas të reshurave gjate tërë natës ka bërë që lumenjtë Ereniku dhe Krena, në shumë vende, të dalin nga shtrati i tyre, ku për pasojë shumë toka bujqësore tashmë janë nën ujë.

Për më tepër, në disa lagje, për shkak të bllokimit të kanalizimeve, uji ka depërtuar edhe në bodrumet e shtëpive, duke iu shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Edhe në Komunën e Deçanit, sipas informacioneve, ka vërshime.

Drejtori për Emergjencë dhe Shërbime Publike në Deçan, Izet Zenuni, tha për RTK se gjendja aktualisht është e menaxhueshme.

Edhe drejtori për Emergjencë në komunën e Junikut, Besart Tofaj, ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar për shkak të reshurave të dendura të shiut që kanë përfshirë Komunën e Junikut.

Po kështu ka vepruar edhe drejtori për Emergjencë në Gjakovë Haxhi Sejdia.

Situatë të ngjashme të rëndë nga vërshimet kemi edhe në Komunën e Pejës, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në Lumbardh, nga të reshurat e dendura.

Siç bëhet e ditur nga terreni, vërshimet në Pejë janë lagjet: Qendër, Asllanqeshme, Lagjja Fidanishte, 7 Shtatori. Një situatë të tillë nga vërshimet kemi edhe në Istog.

Ndërsa në Prizren gjendja siç njoftohet, tani për tani, është më e qetë, ndonëse reshjet atmosferike po vazhdojnë.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë nisur që nga dita e djeshme, në Vushtrri ka vërshime, më konkretisht në rrugën Vushtrri-Pestovë.

Gjendje e rëndë nga reshjet e shiut kemi edhe në rajonin e Dukagjinit, por dhe në vise tjera të vendit.

Sipas njoftimit të Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, reshjet e shiut, të cilat kanë filluar nga data 18.11.2022, pritet që të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, të cilat do të shtohen gjatë pasdites së shtunë, më 19.11.2022 deri të hënën, më 21.11.2022, me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale.

 IHMK ka paralajmëruar se këto reshje mund të krijojnë kushte për vërshime të shpejta, të cilët mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, sidomos tek rrjedhat lumore me karakter malorë në formë të rrëkeve të shpejta, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim.

Përmes një video inçizimi të siguaruar nga gazetari i RTK-së Gëzim Bimbashi po sjellim gjendjen e krijuar nga vendi i ngjarjes në rrugën Pestovë-Vushtrri.

RTKlive