Policia refuzon kërkesën e PD për protestë: Bëjeni jashtë perimetrit të sigurisë
Policia ka ndaluar kërkesën e Sali Berishës për të zhvilluar protestë më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë organizohet samiti me liderët e BE.
Policia thotë se në fashën e kërkuar nga PD për të zhvilluar tubimin, aksi cilësohet perimetër sigurie nga ora 12:00 deri 16:00. Në shkresën drejtuar përfaqësuesit të PD, policia lë të kuptohet se sugjeron zhvillimin e protestës në një vend ku nuk është përcaktuar perimetër sigurie për samitin. Sipas policisë, perimetri i sigurisë është përcaktuar së bashku me strukturat e sigurisë të delegacioneve pjesëmarrëse në samit. “PD është parti e shtetit ligjor, ka njoftuar policinë. Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese kanë vendosur dhe është krejtësisht e panevojshme autorizimi nga Policia. Por ne kemi njoftuar. Cila është përgjigja është e vetëkuptueshme, ajo që i dikton Edi Rama, i cili u bëri gjithçka dhe kujtoi se me këtë rast do të shfrytëzojë samitin për të shtypur të drejtat dhe liritë e popullit opozitar. Ne e parashikuam këtë gjë, ndaj edhe thirrëm protestën”, ishte përgjigjja e kryetarit të PD Sali Berisha, i pyetur sot nga Euroneës Albania lidhur me këtë çështje.