Rusia kritikon Bashkimin Evropian për tensionin në Kosovë
Rusia ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka vite që planifikon për situatën aktuale të tensionuar në Kosovë.
Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, ka reaguar në përgjigje të fjalëve të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, e cila tha se vendi është në prag lufte për shkak të neglizhencës së Bashkimit Evropian në çështjen e Kosovës, dhe ka shkruar: 'Pse kjo neglizhencë?! Kjo situatë është pikërisht ajo që ka planifikuar vite më parë Bashkimi Evropian.“ Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se vendi i tij do të paraqesë një kërkesë në NATO për autorizim për të “dërguar forcat e sigurisë serbe në Kosovë”. Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Serbia mund të dërgojë 1000 ushtarë, policë dhe doganierë në objektet fetare ortodokse në zonat ku shumica janë serbë. Serbët e veriut dhe policia e Kosovës kanë shkëmbyer zjarr të shtunën pasi tensionet u ngritën në qiell në këtë pjesë të trazuar të vendit. Më herët gjatë ditës, serbët e veriut të Kosovës bllokuan rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish pjesëtari të policisë së Kosovës që dha dorëheqjen muajin e kaluar bashkë me serbët e tjerë. Njëkohësisht Vuçiçi ka kërkuar që Policia e Kosovës të mos mund të shkojë në veri të vendit pa pëlqimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në këtë pjesë të vendit. Presidenti serb Aleksandër Vucic i drejtohet gjithnjë Rusisë kur marrëdhëniet me Kosovës arrijnë kulmin e tensioneve. Por sipas zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, kësaj radhe Vuçiç, nuk i është drejtuar Moskës për ndihmë edhe pse Rusia është përfshirë gjithnjë në përplasjet dypalëshe. Duke komentuar kërkesën e Beogradit për të dërguar Ushtrinë serbe në Kosovë, Peskov tha se Moska do të mbrojë interesat e Serbisë deri në fund dhe kërkon respektimin absolut të të gjitha të drejtave të serbëve të Kosovës. Ndërkohë kanë reaguar edhe autoritetet e BE dhe të NATO-s të cilat kanë kërkuar uljen e tensioneve. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbocknë një reagim në Twitter, shkroi se “Kosova i ka ulur tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por retorika e fundit e Serbisë po bën të kundërtën.” Shefja e diplomacisë gjermane i quajti “të papranueshme” sulmet mbi misionin e BE-së në Kosovë, EULEX. Një patrullë e këtij misioni është sulmuar të shtunën në mbrëmje me shok bombë nga, siç u tha, persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi për këto sulme. Ndërsa Beogradi e ka shpallur Prishtinën fajtore.