Vuçiç takon Lajçakun dhe Escobar-in në Beograd
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka takuar në Beograd përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Sipas protokollit, 30 minuta më pas, atyre iu bashkua edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, shkruan N1. Pas takimit, nuk pritet të mbahen deklarata për mediat. Më herët gjatë ditës së sotme në Instagram, Vuçiç pyeti bashkësinë ndërkombëtare dhe partnerët perëndimorë “cilin nga gjashtë dokumentet e rëndësishme” duan që Serbia të respektojë dhe renditi pesë të parat, Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Brukselit dhe Marrëveshjen e Uashingtonit. dhe më pas dokumentin e Selanikut për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor. Po ditën e sotme në Beograd, Escobar do të takohet edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç. Zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së mbërritën në Beograd pas takimeve në Prishtinë, në një kohë ku janë shtuar tensionet në veri të Kosovës, pasi serbët kanë vendosur barrikada pas arrestimit të fundit të ish-oficerit serb, Dejan Pantiç.