Dhjetor 21, 2022 15:09 Europe/Tirane
  • Haxhiu e Malenica diskutojnë për një sërë marrëveshjesh të përbashkëta

Vizitën në Kroaci, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka filluar me takimin me ministrin e Drejtësisë dhe Administratës Publike, Ivan Malenica, me të cilin ka diskutuar për disa marrëveshje të përbashkëta, siç është Marrëveshja dypalëshe për Ekstradim si dhe për Transferimin e Personave të Dënuar, e të tjera, të cilat do të forcojnë tutje marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në mes të dyja vendeve.

Përmes një njoftimi për media nga Ministria e Drejtësisë, bëhet e ditur se ministrja Haxhiu fillimisht ka falënderuar ministrin Malenica për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Republikën e Kosovës, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.

Po ashtu në këtë takim bëhet e ditur se janë adresuar çështjet për të cilat mund të bashkëpunojnë e që ndërlidhen me adresimin e krimeve të luftës, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin dhe dhunën në familje e me bazë gjinore.

“Në fillim të vitit 2023, ministri Malenica do ta vizitojë Republikën e Kosovës, me ç’rast edhe do të punohet drejt finalizimit të marrëveshjeve të tilla”, thuhet në njoftim.

RTKlive

Tags