Bie besimi te gjyqësori në Maqedoninë e Veriut
(last modified Thu, 22 Dec 2022 06:50:00 GMT )
Dhjetor 22, 2022 07:50 Europe/Tirane
  • Bie besimi te gjyqësori në Maqedoninë e Veriut

Mbi 400 qytetarë në vit ankohen tek Avokati i Popullit për punën e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa çdo ditë e më shumë përqindja e besimit në këtë institucion bie.

Lirimi i ish-shefit të policisë secrete, Sasho Mijalkov, ishte një tjetër goditje. “Nëse merrni parasysh vendimin e Gjykatës së Apelit për të shfuqizuar vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Penale për rastin që e dimë të gjithë, është e qartë se si krijohet ky perceptim tek qytetarët për gjykatat. Dhe nuk është e rastësishme humbja e besimit të qytetarëve ndaj vendimeve gjyqësore. Fatkeqësisht u desh që të marrim vërejtje nga përfaqësi i SHBA-së, Unionit Evropian e kështu me radhë për të alarmuar për situatën”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit. Qytetarët e intervistuar nga Euronews Albania thonë se rasti i Mijalkovit, por edhe rënia e Prokurorisë Speciale për shkak të korrupsionit të kryeprokurores, ua kanë humbur besimin tërësisht. “E gjitha është e politizuar. Meqë emërohen nga partitë politike, gjithçka është e politizuar dhe nuk ka korrektësi në gjykata. Kur ka njeriu para të gjitha i bën. Të gjithë janë të korruptuar. Kur kryesorja që ishte për ta luftuar korrupsionin u gjykua, skemi çfarë të bisedojmë”, u shpreh një qytetar. Besimi i ulët i qytetarëve në gjyqësor konfirmohet edhe në anketa direkte të bëra nga agjenci të ndryshme.

Tags