“Krishtlindja magjia e lindjes së jetës”, Rama uron besimtarët e krishterë
Me rastin e kësaj feste, kryeministri, Edi Rama, ka uruar besimtarët shqiptarë që festojnë Krishlindjen.
Në rrjetin social Facebook, Rama ka publikuar një video me fëmijët që janë lindur gjatë mbrëmjes së shenjtë të Krishtlindjes. “Mirëmëngjes dhe me magjinë e lindjes së jetës, ju uroj një ditë të bukur Krishtlindjeje”, shkruan Rama. Mëngjesin e sotëm, besimtarët ortodoksë janë ,mbledhur në Kishën “Ngjalla e Krishtit” për të kremtuar ditën e Lindjes së Krishtit. Festa e Krishtlindjeve është një nga festat më të rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera. Ajo kremtohet çdo datë 25 dhjetor dhe në të kujtohet lindja e shpëtimtarit Jezu Krisht. Pas Pashkëve, festa e Krishtlindjeve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjesht simbolike dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij. Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes. Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes. Por përveç anës shpirtërore dhe fetare festa e krishtlindjeve vjen në mbarë botën si një nga festat më të bukura dhe më të pëlqyera nga të gjithë. Përgatitjet për këtë festë nisin javë përpara se vigjilja e 25 dhjetorit të shënojë edhe kulmin e festimeve. Dhurata, ushqime të shumëllojshme, e gjithë familja e mbledhur rreth tavolinës duke ndarë urime dhe mesazhet për vit më të mbarë e më të mirë. Megjithatë bota katolike dhe ajo ortodokse duket se kanë disa ndryshime sa i përket riteve fetare. Besimtarët katolikë festojnë vigjiljen e krishtlindjeve gjatë mbrëmjes së datës 24 dhjetor ndërsa sa i përket besimtarëve ortodoksë ceremonia zhvillohet gjatë paradites së datës 25 dhjetor.