Mali i Zi në udhëkryq, Lekiç: Të mbahen zgjedhje
(last modified Sat, 14 Jan 2023 06:46:22 GMT )
Janar 14, 2023 07:46 Europe/Tirane
  • Mali i Zi në udhëkryq, Lekiç: Të mbahen zgjedhje

Kriza politike në Malin e Zi nuk po lehtësohet, përkundrazi, nuk dihet ende se kur do të zgjidhet. Qeveria e Dritan Abazoviç ra nga pushteti në gusht dhe krijimi i një qeverie të re nuk duket në horizont.

Mediat lokale raportuan së fundmi se liderët politikë u përplasën ashpër dhe kryeministri, aktualisht me një mandat teknik, ankohet se nuk ka emra të propozuar. “Nuk ka qasje serioze. Vetëm njëra mund të konsiderohet e tillë dhe ajo është të thuash se nuk na intereson ta zgjidhim këtë situatë për një arsye apo një tjetër. Do të ishte më korrekte të thuhej kjo, sesa të shpikej versioni se nuk ka emra. Ndaj është e natyrshme të mos ketë pasur emra në takimin e parë, ku ne nisëm procesin dhe ku unë mund të merrja mandatin brenda 3 ditësh”, thotë Miodrag Lekiç, kandidat për formimin e qeverisë. Thuhet se komuniteti ndërkombëtar fshihet prapa bllokimit të emrit të Lekiç. Shtetet e Bashkuara dhe BE i bënë thirrje shumicës parlamentare të mos përpiqet të formojë një qeveri bazuar në ligjin e ndryshuar për presidentin, pasi një qeveri e tillë do të vinte në dyshim legjitimitetin. Lekiç kujton se i njëjti komunitet ndërkombëtar mbështeti formimin e qeverisë së Dritan Abazoviç. “Sa i takon influencës së faktorit ndërkombëtar, fillimisht do t’u kërkoja të na shpjegonin se si formuan qeverinë e mëparshme, me çfarë qëllimi dhe çfarë rezultati. Duhet gjetur një balancë mes respektit për faktorin ndërkombëtar dhe dinjitetit bazik se të huajt nuk mund të formojnë qeverinë në Malin e Zi”, shprehet Lekiç. I pyetur se cila do të ishte zgjidhja e krizës politike, Lekiç tha për Euronews se ajo do të ishin zgjedhjet. Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale do të njoftohet më 20 janar dhe disa parti kërkojnë që në të njëjtën kohë të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

Tags