Vërshimet shkaktojnë miliona euro dëme materiale/Opozita reagon ndaj mosveprimit të Qeverisë
Skenderaj, Klina, Mitrovica, Peja, Istogu e Podujeva janë komunat më të goditura nga vërshimet e së enjtës, për shkak të të reshurave të dendura të shiut.
Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar sidomos në komunën e Skenderajt, ku gjysma e qytetit thuajse ishte nën pushtetin e ujit.
Ndërkohë, edhe shumë fshatra janë përmbytur duke shkaktuar dëme të mëdha materiale për banorët e atyre zonave.
Vetura, rrugë, objekte e shtëpi të shkatërruara është pamja që të ofrojnë sot këto qytete e fshatra.
RTK më poshtë sjell videon me xhirime nga vendet e përmbytura në Kosovë, të cilat shpërfaqin dëmet e shkaktuara.
Krasniqi: Qeveria të mblidhet me urgjencë e të ndajë fonde për komuna
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë sot thirrje Qeverisë së Kosovës që të mblidhet me urgjencë dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta.
Krasniqi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore dhe sipas tij, Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë.
Tahiri për vërshimet: Qeveri vepro!
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar pas vërshimeve të fundit në vend. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të veproj në rastin e Skenderajt.
"Në Skenderaj situata është e rëndë, në fakt është e jashtëzakonshme. Përmbytjet në këtë qytet si dhe në komunat tjera e kanë për nevojë dorën e shtetit dhe shërbimin e ndihmën e shpejt dhe emergjente. Nuk kam dilema se bashkëqytetarë nga e gjithë Kosova do ta ndihmojnë Skenderajn, familja ime do ta bëjë. Mirëpo, dëmi është i madh e reagimi i shtetit është i vogël. Qeveri Vepro!", ka shkruar ai në Facebook.
RTKlive