Kurti: Hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit
(last modified Wed, 25 Jan 2023 13:18:11 GMT )
Janar 25, 2023 14:18 Europe/Tirane
  • Kurti: Hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit, pas vërshimeve të fundit në vend, ku si rrjedhojë pati pasoja të mëdha në disa komuna.

Gjatë adresimit të tij në fillim të mbledhjes së ekzekutivit, Kurti theksoi se krahas vlerësimit të dëmeve, duhet të bëhet edhe një rivlerësim i sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës.  

“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyjeve dhe mungesa e pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës publike, si dhe ndryshimet klimatike globale, padyshim që i kanë lehtësuar, shpejtuar dhe shpeshtuar përmbytjet në vendbanimet tona. Krahas vlerësimit të dëmeve, duhet të bëjmë edhe rivlerësim të sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës. Në të njëjtën kohë, të përmirësojmë edhe më shumë reagimin tonë dhe përgjegjësitë e institucioneve në parandalimin e tyre. Duhet edhe hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit. Nuk mjafton rimëkëmbja, nëse nuk nxjerrim mësime. Nuk mjafton tejkalimi i situatës, nëse ajo përsëritet. Na duhet ndërgjegjësim dhe mobilizim institucional dhe shoqëror”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve nga zonat e prekura ekzekutivi që drejton do t’iu qëndron pranë përherë.

“Ndihma nga Qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva, bashkë, do të ngritën”, ka thënë kryeministri.

Ai ka thënë se nga vizitat në terren ka parë nga afër forcën shkatërruese të këtyre vërshimeve. “Dëmet janë të mëdha, ndërkaq, rreziku nuk ka kaluar i tëri. Reagimi i institucioneve shtetërore ka qenë i shpejtë. Solidariteti me njëri-tjetrin ka qenë i madh. Për fat të mirë, pasojat janë vetëm materiale. Si qeveri, që nga momenti i parë, kemi qenë në ndihmë të qytetarëve në zonat e përmbytura nga uji. Si përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Policisë së Kosovës, e po ashtu Forcës së Sigurisë së Kosovës, kemi intervenuar për të ofruar mbështetje të menjëhershme. Këtu një kontribut të çmuar kanë dhënë edhe kompanitë rajonale të ujësjellësit për të siguruar furnizim me ujë të pijes”, është shprehur Kurti.

Në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për lirinë fetare, derisa kryeministri Kurti ka theksuar se ky projektligj ka për qëllim të ruajë pluralizmin fetar dhe t’u ofrojë bashkësive fetare mundësinë për t’u regjistruar zyrtarisht.

RTKlive

Tags