Escobar:Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi kyç për stabilitet
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është kyç për stabilitetin rajonal dhe evropian.
I pyetur rreth nënshkrimit eventual të planit gjermano-francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në stabilitetin rajonal, Escobar u përgjigj se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE, mbetet kyç për rajonin dhe atë evropian.
“Sepse (Presidenti rus Vladimir) pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit në Ukrainë dhe ndikime të tjera malinje synojnë të mbjellin ndarje”, tha Escobar në një intervistë për argjencinë e lajmeve të Malit të Zi, MINA.
Ai konkludoi se normalizimi do të hapë dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Serbisë dhe Kosovës në Evropë dhe do të kontribuojë në një stabilitet dhe prosperitet më të madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ndryshe nesër do të jetë dita kur liderët e dy shteteve, ai i Republikës së Kosovës dhe ai i Serbisë, do të takohen në Bruksel. Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq, për herë të parë do të diskutojnë për propozimin franko-gjerman, përmes të cilit synohet arritja e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve.
Por, sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.
Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tha se plani evropian është i tipit merre ose lëre. “Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është i hartuar nga BE, palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe nuk shohim asnjë arsye e as gjasa për negociata, ne besojmë vërtet se është plani që trajton çështjen që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm' deklaroi Lajçak.
RTK