Varhelyi: Mbështesim Kosovën dhe Serbinë në procesin e zbatimit
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i141314-varhelyi_mbështesim_kosovën_dhe_serbinë_në_procesin_e_zbatimit
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varheleyi ka reaguar për takimin e 18 marsit në Ohër, në të cilin kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq janë pajtuar që ta implementojnë zbatimin e marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 19, 2023 10:28 Europe/Tirane
  • Varhelyi: Mbështesim Kosovën dhe Serbinë në procesin e zbatimit

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varheleyi ka reaguar për takimin e 18 marsit në Ohër, në të cilin kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq janë pajtuar që ta implementojnë zbatimin e marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.

Varhelyi ka potencuar se përkushtimi i plotë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës tregon guxim dhe vendosmëri drejt rrugës së tyre në BE.

“I përgëzoj të gjitha palët. Ne jemi të gatshëm t’i mbështesim të dyja në procesin e zbatimit.”, ka shkruar ai në Twitter.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar të rëndësishme pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur dje në Ohër.

Hovenierm në një postim në Twitter, tha se ShBA-ja do të ofrojë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve.

“Është arritur një marrëveshje e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre obligimeve, në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar Hovenier në Twitter.