Nis muaji i Ramazanit, myftiu Tërnava kërkon paqe e solidaritet
(last modified Wed, 22 Mar 2023 16:31:15 GMT )
Mars 22, 2023 17:31 Europe/Tirane
  • Nis muaji i Ramazanit, myftiu Tërnava kërkon paqe e solidaritet

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava i ka uruar të gjithë besimtarët e fesë islame në prag të fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke i dëshiruar agjërim sa më të lehtë, solidaritet, paqe e humanitet ndërmjet qytetarëve. Myftiu tha se sonte me faljen e namazit tëravive, e nesër në agim me ngrënien e syfyrit, besimtarët myslimanë nisin muajin e shenjtë të agjërimit.

“Agjërimi është ibadet i veçantë, që realizohet në muajin e caktuar, me vakte, mision e synim të caktuar. Agjërimin, besimtarët e kryejnë me përkushtim e devocion për hir të krijuesit dhe për të merituar mëshirën dhe begatitë e Tij. Përveç kësaj, agjërimi si asnjë ibadet tjetër shpërfaqë bindjen, dashurinë dhe sinqeritetin ndaj krijuesit tonë, Zotit xh.sh”, tha në fillim Tërnava.

Ai tha se muaji Ramazan, si asnjë muaj tjetër na afron me familjen e farefisin rreth sofrës së iftarit – moment ky, siç tha ai, është i veçantë e në të cilin ka shumë bereqete dhe shumë dashuri. Po ashtu,

“Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani, ai është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). Prandaj, kush e arrin prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”, tha myftiu i Kosovës.

Ai tha se populli shqiptar ka një traditë disa shekullore të bashkëjetesës me mirësitë e muajit të Ramazan, të cilën e shprehin me agjërim, falje, lutje, respektim e vizita të ndërsjella me njëri-tjetrin, solidaritet, humanitet e bashkëndjesi.

“Agjërimi i muajit Ramazan besimtarin e afron me Krijuesin, e largon nga egoja, urrejtja e smira, e motivon për punë e vepra të mira e të hairit. Mësimet, vlerat dhe misioni i agjërimit janë më se të nevojshme për shoqërinë edhe ashtu të trazuar që po kalon ditë jo të mira, me luftëra e konflikte. Prandaj, në këtë natë të madhe, në vigjilje të fillimi të këtij muaji të madh, lusim Zotin xh.sh. që sa më parë të ndalen luftërat e konfliktet, dhe popujt të jetojnë të qetë në paqe e harmoni. Misioni i njeriut në këtë botë nuk është që të krijojë trazira, gjakderdhje, vuajtje e shkatërrime, por të jetojë me dinjitet, ashtu siç na ka udhëzuar Krijuesi i gjithësisë”, thotë myftiu në lutjen e tij.

RTKlive

Tags