Rama: Kundër rezolutës së Martyt, janë bërë nënshkrimet në KiE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se tashmë janë bërë nënshkrimet e nevojshme për të ngritur një rezolutë të re në Këshillin e Evropës, që do të jetë rezolutë mbi atë të vitit 2011, të senatorit Dick Marty që kishte akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh në Shqipëri e Kosovës.
“I mblodhëm më në fund firmat në asamblenë e Këshillit të Evropës për mocionin për një rezolutë të re mbi rezolutën e vitit 2011, ku pa asnjë fakt u ngritën akuzat e tmerrshme ndaj Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës për trafikun e organeve njerëzore në Shqipëri e Kosovë”, ka shkruar kryeministri Rama në Facebook.
Kryeministri shqiptar thotë se nuk ka forcë që mund ta damkosë luftën çlirimtare në Kosovë.
“Rruga e Drejtësisë për Kosovën, gjakun e derdhur për liri, dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë e saj të gjallë sot në Hagë, do të jetë e gjatë, e mundimshme, madje edhe fyese deri në palcë, por drejtësia do të triumfojë në fund fare, sepse s’ka forcë në botë që ta damkosë si kriminale një luftë çlirimtare”, ka deklaruar Rama.
Ndryshe, në vitin 2011, Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë bazuar mbi “dëshmitë“ e senatorit zviceran Dick Marty, që akuzonte UÇK-në për trafikim organesh gjatë luftës. Mbi këtë rezolutë edhe u formua Gjykata Special, e cila nga sot nisi gjykim ndaj katërshes së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Megjithatë Gjykata Speciale, në shpalljen e aktakuzës në asnjë paragraf nuk e përmendet trafikimin e organeve.
E për ta hequr këtë njollë që kishte miratuar vetë Këshilli i Evropës, Shqipëria si anëtare e KiE-së kishte kërkuar një rezolutë të re e cila do të dëshmonte se “trafikimi i organeve” ka qenë një akuzë e rremë e senatorit zviceran. Edhe hetimet ndërkombëtare mbi të ashtuquajturën “shtëpia e verdh” kanë dalë blof.
RTKlive