Selimi në Hagë: Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia
(last modified Wed, 05 Apr 2023 07:22:43 GMT )
Prill 05, 2023 09:22 Europe/Tirane
  • Selimi në Hagë: Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia

Ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi, deklaroi përpara Dhomave të Specializuara në Hagë se ai nuk ka të bëjë me asnjë nga krimet që pretendton aktakuza.

Gjatë seancës së dytë për gjykimin e liderëve të UÇK-së, Selimi tha përpara trupës se aktakuza e ngritur nuk është e bazuar mbi asnjë fakt dhe argument. “Jemi këtu përballë një aktakuze që ende vazhdojmë ta konsiderojmë të pabazuar mbi fakte dhe argumente”, tha Selimi në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së. Ai tha se shpreson që në fund të procesit do të vërtetohet pafajësia e tij, si dhe shtoi se nuk ka frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia. “Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia. Gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris: Unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por, pavarësisht kësaj unë qëndroj sot përballë jush me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë time”, tha ai. Selimi më tej ka përmendur edhe vrasjet e kryera nga Serbët në Kosovë, përfshirë dëbimet me dhunë, dhunimet e djegiet e shtëpive. “Lufta nuk është e mirë asnjëherë për askënd. Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion, por ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e si shoqëri, ndërkohë dhuna agresive dhe shtypja vazhdonte kundër popullatës në Kosovë. Serbia kreu qindra masakra ku siç të gjithë e dinë, vrau mbi 12 mijë shqiptarë pa kursyer gra, pleq e fëmijë e të sëmurë”.

Tags