Hill: Nuk dëgjuan këshillat tona, Prishtina do t’i bartë pasojat
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i144740-hill_nuk_dëgjuan_këshillat_tona_prishtina_do_t’i_bartë_pasojat
Për situatën aktuale në veri të Kosovës, ka folur sot edhe Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
May 31, 2023 15:11 Europe/Tirane
  • Hill: Nuk dëgjuan këshillat tona, Prishtina do t’i bartë pasojat

Për situatën aktuale në veri të Kosovës, ka folur sot edhe Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Ai deklaroi se do të jetë Kosova ajo që do t’i bartë pasojat sepse nuk i ka dëgjuar këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Prishtina do t'i bartë pasojat për mosdëgjimin e Uashingtonit dhe ngjarjet aktuale do të ndikojnë në marrëdhëniet tona”, tha ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.

Hill, në një fjalim para gazetarëve në Beograd, tha se këto janë ditë shumë të vështira në Kosovë dhe rikujtoi se Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha se SHBA-të kundërshtojnë lëvizjet e Prishtinës dhe se mund të ketë pasoja për këtë.

Hill gjithashtu theksoi se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe se është shumë e rëndësishme që të mos përsëriten.

“Nuk duhet të humbasim busullën dhe drejtimin e lëvizjes, që është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe normalizimi i marrëdhënieve përmes dialogut”, tha Hill.

“Është e nevojshme që situata në rajon të qetësohet dhe të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit euroatlantik”.

Deklarimet e tij pasojnë një vendim të SHBA-së e cila ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës, FSK-në, nga manovrat ushtarake, “Defender Europe 2023”, vetëm tre ditë para përfundimit të tyre.

RTKlive