Escobar: Të lirohen menjëherë tre policët dhe Kosova të hapë kufirin
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha sot se ende po punohet në planin tre pikësh evropian për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, e cila sipas tij po krijon kushte të vështira për tërë rajonin.
Escobar tha se asnjë vend ose udhëheqës nuk mund të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe se ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do të ketë pasoja. Zyrtari amerikan gjithashtu kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen të paraburgosur në Serbi, por tha se hetimet se ku u kapën ata ende po vazhdojnë. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kërkoi lirimin e policëve të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi. Ndonëse tha se hetimet ende po vazhdojnë për këtë çështje, ai shtoi edhe sikur ata të kenë kaluar kufirin, kjo padyshim është bërë pa qëllim. Ai tha se tensionet nuk janë duke rënduar vetëm situatën në Kosovë dhe Serbi, por në tërë rajonin, ndërsa kundërshtoi vendimin e qeverisë së Kosovës për mbylljen e kufirit dhe pengimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.