Raport i mediave shqiptare për zhvillimet në Manzë
Shpërbërja e sistemit kibernetik të shtetit shqiptar nga sulmet e hakerave iranianë dëshmoi pafuqinë e Shqipërisë përballë një prej fuqive kryesore anti-amerikane në botë. Prandaj, për të evituar një përshkallëzim të mëtejshëm të ktyre sulmeve, qeveria shqiptare vendosi të ndërhyjë në kampin e opozitës së Iranit, në Manëz, të ashtuquajturin “Ashraf 3”, ku strehohen tre mijë muxhahedinë.
Qëllimi i operacionit të sotëm kundër mijëra muxhahedinëve që jetojnë dhe veprojnë në Manëz ishte të bllokoheshin sulmet kibernetike që ata kryejnë ndaj Iranit dhe që konsiderohen shkaku kryesor i sulmeve kibernetike që shteti i Iranit ndërmori ndaj shtetit tonë.
Çfarë ka ndodhur deri tani? Dyshohet se muxhahedinët, një sekt që vepron dhe propagandon për rrëzimin e regjimit iranian, kanë zhvilluar prej vitesh sulme kibernetike nga një bazë e ngritur brenda kampit, në Manëz. Këto sulme janë dirigjuar nga një rrjet kompjuterash, që ishin qëllimi i operacionit të forcave speciale.
Lapsi.al mësoi se RENEA sekuestroi disa kompjutera në bazën e dyshuar, veprimtaria e së cilës konsiderohet shkelje e marrëveshjes fillestare me anë të së cilës shteti shqiptar strehoi muxhahedinët. Realisht, strehimi i tyre është një “qokë” që kryeministrat tanë Berisha dhe më pas Rama e bënë ndaj amerikanëve. Në politikën shqiptare bëri bujë për një periudhë kohe dashuria e verbër për kauzën e muxhahedinëve, shenjë dalluese e servilizmit dhe nënshtrimit symbyllur ndaj administratës amerikane.
I pari që i hapi dyert për ta ishte ish-kryeministri Sali Berisha, në numra më të vegjël, rreth 220 vetë. Kushti i vetëm që u kërkoi amerikanëve, sipas vetë Berishës ishte që muxhahedinët të nxirreshin nga lista e zezë e grupimeve terroriste.
Më pas, ishte Edi Rama e çoi në tre mijë numrin e opozitarëve iranianë që mund të strehoheshin në vendin tonë, në një kohë që shumë vende europiane refuzuan kategorikisht t’i merrnin. Duket se marrëveshja për mikpritjen e tyre ka qenë me kritere strikte humanitare, por opozitarët e regjimit të Iranit dyshohet se kanë kaluar në operacione konkrete kibernetike kundër Iranit, duke sjellë pasoja për Shqipërinë.
Këtë shkelje të marrëveshjes me Shqipërinë e ceku edhe Ministria e Brendshme në deklaratën kur sqaroi arsyet e zhvillimit të operacionit për ndërhyrjen në kamp.
Ministria përmendi “veprime që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen”.
Operacioni nisi në orën 09:00 të mëngjesit, por kur forcat speciale kanë kërkuar gjetjen dhe sekuestrimin e kompjuterave kanë hasur në refuzimin e muxhahedinëve.
Nga përplasjet ka pasur disa të plagosur, madje iranianët pretendojnë se ka pasur një të vrarë në kamp nga gazi lotsjellës. Deri tani deklaratat janë kontradiktore dhe një grup mjekësor po ekzaminon trupin e pajetë për të nxjerrë shkaqet e vdekjes.
Burime nga policia thanë për Lapsi.al se shqetësimi që kanë sjellë muxhahedinët me sulmet e tyre kundër shtetit iranian janë diskutuar për më shumë se dy orë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Pikërisht në këtë mbledhje është rënë dakort për ndërhyrjen ndaj muxhahedinëve, për të evituar përshkallëzimin e mëtejshëm në konfliktin me Iranin, që mund të ketë pasoja të paparashikueshme.
Duke marrë parasysh se sulmi kibernetik rrëzoi edhe institucionet e sigurisë, kur publikoi të dhënat e policisë dhe emailet e SHISH, presidencës, kryeministrit etj, autoritetet kanë kuptuar se konfrontimi me Iranin duhet shmangur. E sigurtë është që operacioni u zhvillua pas rakordimit me ambasadën amerikane. Jo më kot, në takimin e fundit që pati me presidentin Bajram Begaj ditën e sotme, ambasadorja amerikane Juri Kim foli edhe për bashkëpunimin mes agjencive të inteligjencës për mbrojtjen kibernetike.
Leja që amerikanët kanë dhënë për të ndërhyrë në kampin e muxhahedinëve në Manëz mund të shihet edhe si një hap pas në raport me opozitën e Iranit. Gjatë viteve, kongresmenët amerikanë kanë zhvilluar vizita të vazhdueshme në kamp, përfshirë këtu edhe disa nga figurat më të njohura të politikës amerikane.
Ndërkohë për qytetarët e thjeshtë, “qokat” e politikanëve shqiptarë ndaj atyre amerikanë kanë shtuar pasigurinë në Shqipëri, duke e përfshirë në luftën e ashpër mes regjimit të Iranit dhe opozitës së muxhahedinëve.
Për rrjedhojë, rreth tre vite më parë, lideri i Iranit Ajatollah Khamenei duke folur për Shqipërinë na quajti “një vend shumë te vogël, por shumë i keq europian, ku amerikanët bashkepunojne me tradhtarët e Iranit kundër Republikës Islamike”
Që pas strehimit të muxhahedinëve, Shqipëria është shndërruar në një terren ku hidhen në vazhdimësi agjentë të Iranit që kanë mision sabotimin, spunimin apo sulmet direkte ndaj muxhahedinëve.
Një pjesë e mirë e këtyre misioneve janë zbuluar, por tensioni mbetet permanent. Në vitin 2020, ndërsa fliste për vendimin e pranimit të tre mijë muxhahedinëve në vendin tonë, kryeministri Edi Rama pranoi rrezikun që e kanoste vendin, por ruante një qasje solemne për aktin e tij.
“E dimë shumë mirë që duke marrë hapin në përfshirjen e operacionit humanitar [për të strehuar muxhahedinët] kemi marrë përsipër një rrisk. Jam shumë krenar që ky rrisk është marrë përsipër në mënyrë bipartizane në funksion të detyrimeve të një aleance strategjike të pazënvedësueshme me SHBA” shprehej Rama.
Sulmi i fundit kibernetik e vendosi Shqipërinë realisht përballë këtij rreziku, që deri dje trajtohej me poza teatrale. Kur qeveria shqiptare e kuptoi se çfarë do të thotë ky rrezik, vendosi të ndërpresë marrëdhëniet me Iranin dhe të largojë diplomatët iranianë nga vendi ynë.
Tani ka kuptuar se largimi i diplomatëve nuk mjafton. Ka kuptuar se më së pari, nga Shqipëria nuk duhet të ketë asnjë provokim apo sulm drejt Iranit. Prandaj, sot sulmoi muxhahedinët me një operacion blic, për t’i thënë STOP veprimtarisë së tyre, pasojat e së cilës bien mbi shtetin shqiptar./Lapsi.al