Iranianët “abuzuan” me mbështetjen që u dha Shqipëria
Grupet e muxhahedinëve iranianë, të strehuar në Shqipëri tash e dhjetë vjet, abuzuan me mbështetjen që u ofroi shteti shqiptar, thotë për Radion Evropa e Lirë Enri Hide, profesor i Gjeopolitikës dhe Sigurisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Evropian të Tiranës. Sipas tij, “misioni i tyre në Shqipëri ka marrë fund” dhe “ata duhet të largohen”.
Si pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), mijëra iranianë u strehuan në Shqipëri nga viti 2013, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara. Një ditë më herët, kampi i tyre në Manëz të Durrësit u bë cak i bastisjeve të policisë, e cila sekuestroi dhjetëra kompjuterë. Operacioni rezultoi me dhjetëra të plagosur – në mesin e tyre dhe disa policë – për shkak të rezistencës që shfaqën banorët e kampit. Policia e Shtetit Shqiptar, fillimisht, nuk dha detaje për bastisjen e urdhëruar nga gjykata, por Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha se dyshohet për disa vepra penale, përfshirë: provokim lufte, përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike, ndërhyrje në sistemet kompjuterike dhe keqpërdorim i pajisjeve. Operacioni rezultoi me dhjetëra të plagosur – në mesin e tyre dhe disa policë – për shkak të rezistencës që shfaqën banorët e kampit. Marrëveshja që Qeveria shqiptare nënshkroi me grupin MEK, kur u dakordua t’i strehojë anëtarët e tij në vitin 2013, thotë se ata nuk duhet të angazhohen në ndonjë aktivitet politik dhe duhet t’i respektojnë ligjet e vendit. Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetjen e tyre për bastisjen në kampin Ashraf-3, duke thënë se janë informuar se ajo është kryer në mënyrë të ligjshme. “Policia e Shtetit Shqiptar na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne e mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit