Presioni ndërkombëtar/ Ç’tregon goditja e Kurtit për strukturat paralele serbe në veri
Kundër akteve që Albin Kurti ka ndërmarrë muajt e fundit janë pozicionuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Rusia, Kina, Serbia, madje edhe Shqipëria. Por vendimi i fundit që mori ai tregoi se presioni nuk e ka tjetërsuar. Qeveria e Kosovës shpalli dy organizata terroriste Mbrojtjen Civile dhe Brigadën e Veriut të enjten. Dy grupimet që veprojnë si struktura paralele në veri të Kosovës në përbërje të të cilave janë qindra serbë.
Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenti i saj, ‘Brigada e Veriut’, paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës, tha Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë kur i shpalli organizata terroriste
Në reagimin që bëri Brigada e Veriut thuhet se pjesëtarët e saj janë vullnetarë që ndihmojnë serbët dhe popullin serb, të gatshëm të mbrojmë popullin dhe shtetin tonë. Kjo organizatë tha se vendimi i Qeverisë së Kosovë nuk do t’i ndalojë ata të luftojnë për Serbinë dhe unitetin. Sipas qeverisë së Kosovës organizatat kanë frikësuar kandidatë dhe subjekte politike të marrin pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës. Niveli i kërcënimit dhe rrezikut nga këto formacione ilegale është i lartë, theksoi Kurti.
Ky vendim është një hap tjetër më pranë forcimit të shtetit ligjor dhe kontrollit të territorit. Por ky vjen kundër klimës së shtensionimit me Beogradin, e cila kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët.