Qershor 30, 2023 20:50 Europe/Tirane
  • Nëse duan luftë, të largohen nga Shqipëria, Rama kërcënon MEK-un

Në një intervistë për median gjermane, Der Spiegel, kryeministri i Shqipërisë ka kaluar në kërcënime në qasjen e Shqipërisë ndaj muxhahedinëve të kampit Ashraf 3, që ndodhet në Manëz. Rama tha se ata janë në të drejtën e tyre për të luftuar regjimin e Iranit, por nëse duan ta bëjnë këtë duhet të largohen nga Shqipëria.

Paralajmërimi vjen pas aksionit masiv të policisë në kampin e të ashtuquajturës opozitë të Iranit ku u sekuestruan kompjutera dhe servera, që dyshohet se janë përdorur për të vjedhur të dhënat e sistemit kompjuterik të Iranit. Madje gjatë intervistës gazetari gjerman zbulon se kompjuterët e qeverisë në Teheran janë hakuar dhe kanë qarkulluar dokumente të ndjeshme. Më poshtë një pjesë nga intervista e Ramës për Der Spiegel:

SPIEGEL: Zoti Rama, javën e kaluar Forcat e sigurisë pranë Tiranës zhvilluan operacion në kampin e MEK-ut iranian. Pse?

Rama: MEK-un e kemi prej disa vitesh në vendin tonë. Ata janë të mirëpritur, por me kusht që mos ta përdorin Shqipërinë si një platformë për operacionet e tyre politike. Mysafirët tanë iranianë e kanë shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje.

SPIEGEL: Kompjuterët e qeverisë në Teheran janë hakuar dhe kanë qarkulluar dokumente të ndjeshme. Rreth 100 PC dhe dhjetëra Hard disqet thuhet se janë konfiskuar tani. Mund ta konfirmoni këtë?

Rama: Shqipëria nuk ka synim të jetë në luftë me regjimin iranian. Shqipëria nuk pranon askënd që ka abuzuar me mikpritjen tonë.

Spiegel: Pse pranuat me kërkesë të presidentit amerikan Barack Obama në vitin 2016 për të pranuar mijëra muxhahedinë?

Rama: Ishte një operacion jetëshpëtues. Ne hapëm dyert tona sepse grupi, që atëherë vepronte nga Iraku u ndoq sistematikisht. Dhe nëse një mik si SHBA-ja na kërkon diçka, ne ndihemi të nderuar.

SPIEGEL: Nëse do të ishit MEK do preferonit të largoheshit?

Rama: E kuptojmë inatin kundër regjimit në vendin e tyre. Por vendi ynë të përdoret si llogore në një luftë që nuk është e jona, nuk funksionon! Sigurisht që ata kanë çdo të drejtë të luftojnë për lirinë e tyre, por për ta bërë këtë duhet të largohen nga Shqipëria.

Tags