Vjosa Osmani konfirmon takimin me Ramën nesër në Prishtinë
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do presë në takim kryeministrin Edi Rama nesër në Prishtinë. Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e presidencës së Kosovës.
“Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të Osmanit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh më herët se nuk do ta takojë kryeministrin Rama gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë, nëse nuk do të mbahet mbledhja e dy qeverive. Ai ftoi Ramën që gjatë vizitës dy ditore në Prishtinë më 6-7 korrik, të vijohet me mbledhjen e dy qeverive që u anulua në Gjakovë. Ndërkohë, ky i fundit sot gjatë një deklarate për mediat pasi përfundoi mbledhja e qeverisë, nuk pranoi të komentonte refuzimin nga ana e kryeministrit të Kosovës, duke theksuar se do të flasë për këtë çështje kur të jetë koha për të folur, që sipas tij është nesër për Prishtinë. Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive, e cila u anulua paarsyeshëm. Në mënyrë që këto marrëveshjet e dakorduara të mos mbeten në sirtar unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen dy ditë në Prishtinë ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive. Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan liderë si kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur e vazhdon ta mbështesë procesin e Berlinit. Është për mua e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Për takime personale ne të dy kemi kontakt të drejtpërdrejtë. Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo në takime të tjera.