Kurti: Asociacioni s’mund të dalë para 39 marrëveshjeve
(last modified Thu, 14 Sep 2023 18:51:24 GMT )
Shtator 14, 2023 20:51 Europe/Tirane
  • Kurti: Asociacioni s’mund të dalë para 39 marrëveshjeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit.

Pas takimit me presidentin Vuçiq, Kurti para mediave tha se kanë propozuar plan të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ndërkaq pala serbe s’kishte asnjë propozim, por kushtëzonte me themelim të Asociacionit. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka mundur të ketë kompromis në Bruksel. “Kam propozuar një udhërrëfyes të senkuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Nuk ka mundur të ketë kompromis me një propozim me sekuencë dhe një kushtëzim të vjetër. Kur unë kërkova që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia se mu tha se ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje ta sjellin. Kushtëzimi i Serbisë është se njëherë duhet të zbatohet Asociacioni dhe pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e marrëveshjes bazë”, tha ai. Ai thotë se nuk mund të pranohet propozimi i Serbisë për të filluar me Asociacionin e më pas me pikat tjera. Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar se në takimin e nivelit të lartë të së enjtes në Bruksel, nuk është arritur dakordim mes palëve. Borrell ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit duke insistuar në formalizmin e njohjes de-facto si hap i parë. Ndërsa sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar kompromisin e paraqitur nga BE-ja, ndonëse në fillim kishte shkuar në Bruksel me një propozim të vetin. Edhe presidenti Vuçiq gjatë ditës tha se takimi trepalësh me kryeministrin Albin Kurti dhe diplomatët e BE-së, përfundoi pa sukses. “Bisedimet përfunduan pa sukses në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, u shpreh Vuçiq para gazetarëve në Bruksel.