Reagime për sulmin në veri të Kosovës
(last modified Sun, 24 Sep 2023 16:08:11 GMT )
Shtator 24, 2023 18:08 Europe/Tirane
  • Reagime për sulmin në veri të Kosovës

Sveçla e publikon një fotografi të policit të vrarë: Lavdi heroit Afrim Bunjaku, s’do ndalemi për rend e ligj.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka shkruar për policin e vrarë sot në veri të vendit, Afrim Bunjaku, duke thënë se ai ra në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

“Rreshter Afrim Bunjaku ra sot në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës”.

Sveçla tha se s’do të ndalen për idealin që ra Afrim Bunjaku.

“Ne zotohemi, që lufta dhe përpjekja e Afrimit dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet. Lavdi Heroit Afrim Bunjaku!”, ka shkruar ai.

Shefi i EULEX’it: Të gatshëm t’i ndihmojmë institucionet e Kosovës për të ruajtur stabilitetin

Shefi i EULEX’it, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar për ngjarjet e fundit në Veri.

Barbano ka thënë se janë të tmerruar, derisa i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë.

Ai ka shkruar në “X” se EULEX’i është plotësisht i angazhuar në monitorimin e situatës në Veri, derisa ka shtuar se do të mbështesin institucionet e Kosovës për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve.

“Të tmerruar nga sulmi i dhunshëm i sotëm kundër Policisë së Kosovës. Ngushëllimet e mia më të thella familjes së policit të vrarë në krye të detyrës. I uroj shërim të shpejtë dy policëve të plagosur. EULEX si reagues i dytë i sigurisë, është plotësisht i angazhuar në monitorimin nga afër të situatës në vend, duke qëndruar i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në masën më maksimale të mundshme për të ruajtuar stabilitetin dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj, në koordinim të ngushtë me KFOR”

Hovenier del nga takimi me Kurtin: S’kemi për të thënë diçka më shumë se reagimet që i kemi lëshuar

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier sot ka shkuar në zyre të kryeministrit Albin Kurti për takim pas ngjarjeve të sotme në veri të vendit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë u lëndua.

Hovenier para gazetarëve tha se nuk ka diçka më shumë sesa ato që ka thënë në deklaratën e lëshuar për media pak më herët ku dënoi vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe kërkoi që autorët të sillen para drejtësisë.

Presidentja Osmani: Të gjithë jemi me Policinë e Kosovës, terroristët s’na zmbrapsin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falendëruar Policinë e Kosovës për punën që po bën në mbrojtje të integritetit she sovranitetit të Republikës së Kosovës, shkruan Express.

Osmani ka thënë se të gjithë janë në krah të Policisë së Kosovës dhe kanë një mesazh, se terroristët nuk mund ta zmbrapsin Kosovën, por vetëm mund ta forcojnë vendoshmërinë e Kosovës.