Vuçiç: Radoiçiç do të merret në pyetje, për vrasjen nuk ka justifikim
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.
“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha Vuçiç. Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, presidenti serb tha se Radoiçiçi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur. Kosova ka akuzuar Radoiçiçin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë. “Millan Radoiçiç kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai. Vuçiç tha se pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, “nuk janë terroristë”. “Për mua si president i Serbisë ata njerëz nuk mund të jenë terroristë. A mund ta justifikojë vrasjen e një polici… nuk ka asnjë justifikim dhe për këtë autoritetet shtetërore do të ndërmarrin hapa”, tha ai. Vuçiç tha se tani ka më shumë informacione sesa në ditën kur ndodhi sulmi, kur iu drejtua publikut në Serbi. “Ne do të kërkojmë që të na i tregojnë pamjet me dron se si u vra polici. Nuk ishte një vrasje e planifikuar”, tha ai.