Serbia ka vendosur afër kufirit edhe artilerinë e rëndë
(last modified Sat, 30 Sep 2023 18:43:49 GMT )
Shtator 30, 2023 20:43 Europe/Tirane
  • Serbia ka vendosur afër kufirit edhe artilerinë e rëndë

Pas lëvizjeve të njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Kosovën, reagoi edhe Qeveria e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, Qeveria e Kosovës i bën thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën. Sipas deklaratës, Republika e Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e ​fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Në njoftimin për media nga Qeveria e Kosovës po ashtu thuhet se: “lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tri drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës”. “Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë”, thuhet në njoftim. “I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm”, thuhet në njoftim. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i ShBA-ve ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë”.

 

Tags