Situatë kaotike në Parlamentin e Shqipërisë
(last modified Mon, 20 Nov 2023 19:00:01 GMT )
Nëntor 20, 2023 20:00 Europe/Tirane
  • Situatë kaotike në Parlamentin e Shqipërisë

Vetëm 5 minuta zgjati seanca plenare e kësaj të hëne në Parlamentin e Shqipërisë, kur pritej të diskutohej projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, “Projekt Buxheti 2024″.

Deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget në foltore, ndërsa janë përplasur fizikisht me disa prej punonjësve të Gardës.

As kontrollet e shtuara në hyrje të Kuvendit nuk i ndaluan deputetët e opozitës të merrnin edhe këtë seancë flakadanët, të cilët i ndezën në nisje të seancës plenare.

Mes kaosit dhe debateve mazhorancë-opozitë, “Projekt Buxheti 2024” u miratua në parim me 73 vota pro.

Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, në një deklaratë për shtyp menjëherë pas përfundimit të seancës plenare tha se “Projekt Buxheti” u kalua në mënyrë antikushtetuese dhe anti ligjore në një seancë që zgjati 5 deri 7 minuta.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së,  Bledi Çuçi ka deklaruar jashtë Kuvendit se situata kaotike në Kuvend është e njëjta skenë e krijuar nga opozita.

Votimi i Projekt Buxhetit është një prej seancave më të rëndësishme të vitit në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa ishin parashikuar për diskutime datat 20 dhe 21 Nëntor.

Këtyre diskutimeve i kanë paraprirë seanca të tensionuara e kaotike dy muajt e fundit, shkaktuar nga ajo çfarë opozita e quan “rezistencë ndaj mos plotësimit të tre kërkesave të tyre”.

 

Tags