Vuçiq: Kosova po fuqizohet shumë ushtarakisht me ndihmën e Amerikës
(last modified Sat, 13 Jan 2024 18:49:06 GMT )
Janar 13, 2024 19:49 Europe/Tirane
  • Vuçiq: Kosova po fuqizohet shumë ushtarakisht me ndihmën e Amerikës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se vazhdimi i armatosjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës synon të largojë plotësisht çdo gjurmë të ekzistencës së Serbisë nga territori i Kosovës.

Udhëheqësi serb ka reaguar pas lajmeve se Kosova pritet të blejë raketa amerikane “Javelin” në vlerë të 75 milionë dollarëve, raporton agjencia e lajmeve nova.

“Deklaratat e disa zyrtarëve kosovarë na lënë të kuptojmë pa mëdyshje se shkatërrimi i popullit serb është i qartë dhe mesazhi është se nuk ka vend për serbët në Kosovë”, tha Vuçiq në një konferencë për media pas vizitës në Qendrën Operative të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë.

Vuçiq ka thënë se Kosova po formon forca jashtëzakonisht të fuqishme dhe se ajo po udhëhiqet nga Amerika, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, duke theksuar se për këtë Serbia duhet të forcojë në mënyrë drastike ushtrinë e saj.

“Deri në vitin 2027 ata planifikojnë të kenë 5,500 ushtarë profesionistë dhe 20,000 rezervistë”, tha ai.

Ai saktësoi se Kosova merr ndihmën më të madhe ushtarake nga SHBA-ja, Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga Kroacia.

Sipas tij, situata nuk është e lehtë sepse Serbia është e rrethuar nga aleanca e NATO-s, forcat e së cilës janë të dislokuara edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila nuk është anëtare e NATO-s.

“Ne duhet të kemi një ushtri të fortë, sepse pa të nuk mund të ekzistojmë si shtet”, ka theksuar Vuçiq.

Serbia do t’i shpenzojë rreth 740 milionë euro vetëm këtë vit për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe armatim, tha të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

 

Tags