Studentët protestues bllokojnë tri ura në Novi Sad
Një numër i madh studentësh dhe qytetarësh janë organizuar të shtunën për bllokimin e tri urave të Novi Sadit, fiks tre muaj pasi 15 persona janë vrarë si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti.
Studentët janë nisur nga kampusi i Universitetit të Novi Sadit drejt urave Varadin, Zhezhele dhe atë të Lirisë, të cilat ishin të bllokuara prej orës 15:00.
Disa janë parë duke mbajtur në duar mbishkrimet “Tre muaj – tri ura”.
Urat ishin të bllokuara fillimisht për tri orë dhe më pas pjesëmarrësit u mblodhën në Urën e Lirisë, të cilën do ta bllokojnë për 24 orë.
Studentëve të Novi Sadit u janë bashkuar edhe studentët prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit.
Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.
Protesta organizohet në tremujorin e tragjedisë në Novi Sad, e cila ka nxitur një valë të madhe protestash, në të cilat kanë marrë pjesë mijëra persona.
Protestat janë udhëhequr prej studentëve, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete.
Ata besojnë se incidenti është pasojë e korrupsionit qeveritar në një projekt të madh infrastrukturor me një kompani shtetërore të Kinës.