Veseli në asamblenë e NATO-s: Kosova është e gatshme për ushtri
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në hapjen e Seminarit të 93-të ROSE-ROTH të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e rreth 100 mysafirëve, duke përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli foli për angazhimet konkrete të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e një shoqërie tolerante dhe demokratike, si dhe ngritjen e gjitha kapaciteteve dhe arritjen e standardeve të sigurisë.
Kryeparlamentari Veseli tha se siguria rajonale nuk cenohet vetëm nga mbetjet e së kaluarës apo nga stagnimi ekonomik, por edhe nga kërcënimet globale, sikurse është terrorizmi ndërkombëtar.
“Vendi im qëndron fuqishëm në krah të koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Ne kemi marrë masa të rëndësishme, përfshirë edhe ato legjislative, në fushën e luftimit të terrorizmit. Kosova as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë asnjëherë burim i rekrutimit për terroristët”, theksoi kryetari Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i Kuvendit tha se Kosova është duke punuar me vendosmëri në ngritjen e të gjitha kapaciteteve dhe arritjen e standardeve më të bashkëkohore në fushën e sigurisë. Ai tha se Kosova ka arritur përparime në fushën e krijimit të kapaciteteve të sigurisë në nivelin e brendshëm, përderisa është e gatshme të marrë edhe përgjegjësinë e sfidave globale të sigurisë.
“Vendimi që presim të marrin më Kuvendin e Republikës së Kosovës, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, do të jetë edhe një shtytje më pozitive në këtë drejtim. Ne falënderojmë partnerët e vendit tonë për përkushtimin dhe ndihëm e vazhdueshme që janë duke na dhënë në përmbushjen e këtyre standardeve”, theksoi ndër të tjera në fjalën e tij, kryeparlamentari Veseli.
Stabiliteti në Kosovë, i domosdoshëm për sigurinë në rajon
Kryesues i Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti tha se organizimi i mbledhjes në Prishtinë, u përcjell të gjitha vendeve të rajonit se stabiliteti në Kosovë nuk është vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm për sigurinë në rajon dhe me gjerë.
Ai këto komente i bëri në seminarin e 93-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Prishtinë.
Ndërkaq ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet ka deklaruar se me anë të shkëmbimeve dhe prezantimeve do të fitohen pikëpamje të reja për tejkalimin e sfidave në rajon.
Ai ka thënë se stabiliteti dhe siguria mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit.
Sipas tij, ndihma e Zvicrës shkon përtej këtij seminari në Kosovë, pasi Zvicra është partnere në çdo aspekt.
Vlen të theksohet se sot në Prishtinë filloi punimet Seminari i 93-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në të cilin pritet të jenë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.
Në takimin treditor do të diskutohet për perspektivën e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rolin evolues të NATO-s në rajon, që pason Samitin e Aleatëve të Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.
Ligjvënësit e NATO-s do t'i shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë.
Seminari është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, Xhavit Haliti dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane.