Pse përjashtohet bektashizmi nga ligji mbi fetë?
Z. President, kombi po ndahet edhe në aspektin e ligjit mbi fetë!?
Shkruan: Fetah BAKIJA
Ndikimi i BIK-ut dhe sidomos i prijësit të tij në zyrtarët më të lartë të pushtetit në Kosovë, po e dëmton përkatësinë etnike. Këta me ligje po e mbështetin ndikimin e Turqisë në Kosovë edhe sa i përket çështjes fetare. Duke e përjashtuar nga përfshirja Komunitetin Bektashian, që është një prej komuniteteve fetare me bazë të fortë në etninë e Kombit Shqiptar, moto e të cilit është “PA ATDHE NUK KA FE”, po arrihet ndarja e Kombit edhe DE JURE.
Dihet se Shqipëria e ka të përfshirë me aktin normativë mbi fetë BEKTASHIZMIN si Komunitet të katërt fetar që njihet nga shteti. I vetmi komunitet fetar ndërkombëtar që numëron 280 milionë ndjekës, e që selinë e kanë në Tiranë dhe udhëheqës fetar kanë Kryegjyshin e Kryegjyshatës Bektashiane, Hirësinë e Tij Haxhi Dedebaba Edmond Brahimaj.
Bektashinjtë kanë qenë dhe janë të përhapur në numër të madh në Kosovë, Luginën e Preshevës, dhe në Maqedoni. Në Gjakovë, gjithmonë ka ekzistuar Gjyshata Bektashiane e Kosovës. Por dihet se në shënjestër të ndjekësve nga regjimi serbosllav i ish-Jugosllavisë kanë qenë mu anëtarët e këtij komuniteti. Dihet se aktiviteti i këtij komuniteti, nuk është vetëm fetar. Prioritetet e tij ishin edhe arsimorë e patriotikë. Mjaftojmë t’i përmendim vëllezërit Frasheri. Abdyl Frashëri ishte bektashi me shokët e tij, me Lidhjen e Prizrenit tentuan t’i bashkojnë shqiptarët në një Shtet, dhe të lirohen nga zgjedha e Perandorisë Osmane. Në Prizren, Teqeja e Bektashinjve, shërbente si pikë takimi për udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, e ku regjimi turk nuk mund të reagonte se ishte shtëpi e Zotit, ku mblidheshin fetarët. Pas arrestimit të krerëve të Lidhjes së Prizrenit, dhe ngjarjeve që pasuan me terror e burgosje, prijësi i Teqesë Bektashiane nga Prizreni gjeti strehim në Gjakovë te familja e madhe Bakija, ku shtëpia e vjetër që edhe sot është në mbrojtje të shtetit (Heroi Mustafa Bakija dhe vlerave trashëgimore arkitektonike) u bë Teqe e Bektashinjve derisa u qetësua situata e përndjekjeve.
Andaj është e pakuptimtë që përpiluesit e ligjit për fetë, dhe pushtetarët e shtetit tim për mos njohuri apo qëllimisht, bien pre e një politike dashakeqe të disa prijësve fetarë, që janë bërë argatë me vetëdije të shtetit që imponon rregulla dhe ndikim fetar sipas interesave të tyre. Kjo është dhe një dëshmi, se pushtetarët tanë ndryshe deklarohen në media për çështjen e Kombit e ndryshe veprojnë në praktikë – duke na ndarë si etni dhe Komb.
Presidenti z. Hashim Thaçi, deklaroi në media se jemi një komb me dy shtete. Nëse e ka thënë me bindje Presidenti Thaçi, e ftoj që ta tregojë këtë në praktikë.
Kombi Shqiptar në këtë anë dhe në atë ane të kufirit, denbabaden ka pas dhe ka komunitetin BEKTASHIAN. Deri më tash me të gjithë ata që jemi takuar, për përfshirjen në ligje të Kosovës Komunitetin Bektashian (i cili nuk mund të futet në kuadër të Bashkësisë së Tarikateve) janë pajtuar për domosdoshmërinë e hyrjes në ligje, por në praktikë tjetër gjë po ndodhë!