BE përkrah fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë
Shqipëria po bën përpjekje për të marrë që tani, në dhjetor, miratimin e vendeve anëtare për hapjen zyrtare të negociatave.
Për këtë qëllim po ndihmohet nga grupi Miqtë e Shqipërisë, i ngritur me nismën e Italisë dhe Austrisë. “Qëllimi është që në dhjetor të kemi një vendim nga Këshilli Europian për të nisur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mendoj se janë bërë shumë reforma dhe shumë progres”, deklaroi ministri i jashtëm italian, Paolo Gentiloni. Siç tha shefi i diplomacisë italiane, konkluzioni i takimit ishte progresi i reformave në Shqipëri dhe kryeministri Rama shpreson që në dhjetor Shqipëria të shpërblehet për arritjet e saj. “Dëgjuam gatishmërinë e të gjitha vendeve për ta mbështetur në Këshillin Europian të dhjetorit rekomandimin e Komisionit. Është një proces që tanimë është pa kthim. Shqipëria do t’i çelë negociatat”, deklaroi Rama. Ministri i Jashtëm i Italisë, Paolo Gentiloni dhe ai i Austrisë, Sebastian Kurz, dy nismëtarët e takimit “Miqtë e Shqipërisë” të zhvilluar sot në Bruksel kanë vlerësuar gjithashtu reformat e qeverisë shqiptare. “I jemi mirënjohës kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për gjitha reformat e bëra në Shqipëri. Gjithashtu i jemi mirënjohës Shqipërisë për rolin pozitiv dhe konstruktiv që po luan në rajon. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe për të gjithë ne”, ka thënë shefi i diplomacisë austriake Sebastian Kurz.