Zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Maqedoni
Ditë e qetë në Shkup. Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e Maqedonisë, në orët e para nuk kanë zgjuar kryeqytetin e vendit, pavarësisht se votimet konsiderohen si një referendum mes të shkuarës dhe të ardhmes. Shkolla fillore që mban emrin e “Goce Delçev”, heroit maqedonas, ka pak lëvizje.
Gjithçka thonë se ka nisur siç duhet dhe në procesin zgjedhor vijnë pak qytetarë që presin ndryshime. Në mijëra qendra votimi në Maqedoni votohet në 6 zona zgjedhore dhe vetëm për partitë. Listat kanë vetëm emrat e udhëheqësve, ndërsa se kush do të jetë deputet e përcaktojnë listat e brendshme, që janë të mbyllura. “Shpresojmë të jetë mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të ketë punë për të rinjtë dhe të mos shpërngulemi të gjithë”, thotë një votuese. “Kemi nevojë për të zgjidhur këtë krizë politike dhe të zëmë mend”, tha një votues. Vëzhguesit e shumtë kanë vërshuar Maqedoninë. Në organizatën “Most”, që monitoron zgjedhjet, kanë raportuar për disa incidente të fotografimit të votës. Por gjithçka është nën vëzhgim. “Ne kemi mbi 3.000 vëzhgues dhe kemi mbuluar shumicën e qendrave të votimit. Do të ndjekim procesin në çdo vend. Vëzhguesit tanë do të jenë në këto qendra deri në përfundim të procesit, por deri më tani nuk ka pasur shumë parregullsi”, tha Teodora Pop Trajkov, organizata “Most”. Kutitë e votimit mbyllen në orën 19:00 në tërë Maqedoninë, ndërsa rezultatet e para pritet të jepen vetëm disa orë më vonë, kur do të kuptohet nëse Maqedonia ka bërë ndryshime apo i ka besuar qeverisjes së vjetër.
Qytetarët e Maqedonisë janë shprehur se presin që qeveria e ardhshme, e cila do të dalë nga forcat politike, që do ta fitojnë besimin e elektoratit, do të angazhohen për një jetë më të mirë, që të kthehet besimi në sistemin gjyqësor, si dhe të zhbllokohet procesi i integrimit të vendit në strukturat veri-atlantike.
“Shpresoj që kushdo që të dalë fitues nga këto zgjedhje, të angazhohet për realizimin e kërkesave të qytetarëve në formë të barabartë, pavarësisht se kush për kë ka votuar. Me prioritet për qeverinë e ardhshme do të duhet të jetë që të eliminohen anomalitë, të cilat janë të pranishme në shoqëri, veçanërisht ato në sistemin gjyqësor, si dhe integrimi i vendit në aleancën veri-atlantike. Pra, këto çështje janë më se me prioritet”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Bajram Ramadani.
Ndërkaq, për Hazir Jetishin, rreth të 70-ve, vota është e drejtë e çdo qytetari dhe ai këtë të drejtë beson se do ta japë në opsionin që do të angazhohet për realizmin e të drejtave të shqiptarëve.
“Bashkë me bashkëshorten kemi dalë të kryejmë obligimin për të votuar. Cila do parti, që do të dalë fituese, duhet uruar fitoren dhe shpresoj të mos ketë probleme dhe incidente siç kishte në ciklet e kaluara zgjedhore”, është shprehur Jetishi.
Avni Ismaili, rreth 20 vjeç ka thënë se shpreson që të hapen perspektiva për të rinjtë në Maqedoni:
“Maqedonia duhet të fillojë të ecë nga e mbara, po kështu siç kanë vepruar deri më tani politikanët, shumë keq ka qenë për ne. Erdha të votoj për një jetë më të mirë. Qeveria e ardhshme duhet t’i lirojë si e para të gjithë të burgosurit politikë dhe njëherësh drejtësia të vlejë për të gjithë qytetarët njëlloj”.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni erdhën si pasojë e krizës së thellë politike, në të cilën ndodhet vendi që nga zgjedhjet e vitit 2014, e në veçanti pas asaj që njihet si aferë e përgjimeve që lëkundi stabilitetin e vendit me trazirat më të mëdha që nga pavarësia e saj, 25 vjet më parë.
Në garë për mandate janë 11 lista të partive dhe koalicioneve partiake, katër prej të cilave janë të subjekteve politike shqiptare. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së, PDSH-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët.
Zgjedhjet mbahen sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura dhe ato po zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore ku çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë.
Një ditë më parë, të shtunën, votimet janë mbajtur në diasporë, ku nga dalja në votime do të varet nëse do të ketë edhe tre apo më pak deputetë shtesë në institucionin e ri ligjvënës.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thanë se fletët e votimit dhe materiali tjetër i nevojshëm për realizimin e procesit zgjedhor,është shpërndarë me kohë dhe presin që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë demokratike.
Procesi i votimit po monitorohet nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka akredituar 4,047 vëzhgues nga gjashtë organizata vendore, rreth 650 vëzhgues të huaj, 60 gazetarë, përkthyes dhe personel tjetër që do të jetë pjesë e procesit të vëzhgimit të procesit zgjedhor”, deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.
Numrin më të madh të vëzhguesve të huaj e ka misioni i OSBE-ODIHR, pastaj Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Përfaqësuesit e ambasadave dhe misioneve të huaja diplomatike në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike si kusht kryesor për kthimin e Maqedonisë në normalitet.
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar edhe forca të shumta policore të pranishme në të gjitha vendvotimet. Për prishjen apo pengimin e procesit zgjedhor në bazë të ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor parashihen dënime të ashpra që nga gjobat që sillen deri në 5 mijë euro e deri në dënime prej 3 deri më 5 vjet burg në rast të mbushjes së kutive të votimit apo mashtrimeve zgjedhore.