Rusia dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë
(last modified Tue, 24 Jan 2017 19:14:34 GMT )
Janar 24, 2017 20:14 Europe/Tirane
  • Rusia dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Shtimi i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, ngjalli reagimin e ministrit të jashtëm të Rusisë i cili është shprehur se neglizhenca në këtë fushë mund të dëmtojë stabilitetin në Ballkan.

Pas shtimit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë ka reaguar ministri i jashtëm i Rusisë i cili ka kërkuar uljen e këtyre tensioneve. Sergei Lavrov tha se BE duhet të ftojë krerët e Kosovës dhe të Serbisë që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me anë të bisedimeve dhe negociatave në Bruksel. Lavrov i kërkoi BE-së që të detyrojë autoritet në Kosovë të mos pengojnë lëvizjen e lirë të serbëve në veri. Ai është shprehur se forcat kosovare të sigurisë nuk duhet të jenë të pranishme në veri. Ky qëndrim i Moskës me padyshim është në interes të Serbisë, por që padyshim ngjall reagimin e autoriteteve kosovare dhe të BE-së. Sot Kosova dhe Serbia do të kenë përfaqësimin më të lartë në takimin e radhës në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Zyrtarë të Bashkimit Europian kanë theksuar se, progresi në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë ka një rëndësi të madhe. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikat e Jashtme, Federica Mogherini pritet të drejtojë sot në mbrëmje një tjetër raund bisedimesh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me praninë e dy kryeministrave, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç si dhe të dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Tomislav Nikoliç. Në këtë mbledhje të radhës do të flitet kryesisht për uljen e tensioneve që u krijuan mes dy qeverive për shkak të trenit serb që u bllokua në veri të Kosovës si dhe për shkak të ndalimit të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, në Kolmar të Francës për shkak të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004. Megjithatë, deklaratat paraprake të bëra nga zyrtarët e dy palëve nuk kanë dhënë shpresë për një debat konstruktiv. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur për mediat se do të kërkojë shfuqizimin e të gjithë urdhër-arresteve për ish-pjesëtarët e UÇK-së. Nga ana tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se nuk ka pritshmëri se takimi mund të jetë pozitiv. Kjo është hera e parë pas më shumë se një viti e gjysmë që BE thërret palët në një takim të nivelit të lartë, ndonëse përgjatë muajve të fundit ka pasur një numër të konsiderueshëm bisedimesh në nivel ekspertësh. Në konferencën e sotme për gazetarët në Bruksel, Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, tha: Siç kemi deklaruar edhe javën e kaluar, zhvillimet e kohëve të fundit e theksojnë nevojën e përkushtimit dhe angazhimit të shtuar nga të dyja palët nëpërmjet dialogut. Më tej ajo është shprehur se “është krejtësisht e qartë se progresi në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë madhore”, teksa ka shtuar se “kjo vlen për të dyja palët, por edhe për Bashkimin Europian në tërësi”. Zëdhënësja Koçijançiç tha se “të dyja palët kanë shprehur përkushtim për dialog dhe presim që ky përkushtim të vazhdojë, përfshirë implementimin e marrëveshjeve që janë arritur”. Shumë vende perëndimore, me Shtetet e Bashkuara në krye e kanë njohur prej kohësh pavarësinë e Kosovës, por mjaft të tjerë, mes të cilëve Serbia vetë, Rusia, Kina, e pesë anëtare të BE-së, nuk e kanë hedhur ende këtë hap.

 


 

Tags