Thaçi: Pajtohem me Mogherinin, të ndërtojmë ura e jo mure
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur rrëzimin e murit në veri të Mitrovicës, si rezultat të dialogut me palën serbe.
"Muri ndarës tek ura në Mitrovicë tashmë është rrënuar. Pajtohem me Federica Mogherinin, ne duhet të punojmë për ndërtimin e urave, e jo të mureve", ka shkruar Presidenti në llogarinë e tij zyrtare në Twitter. "Dialogu funksionon", ka thënë Thaçi, duke iu referuar bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini , ka deklaruar se angazhimi i dy takimeve të fundit në kuadër të dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, sot ka sjell rezultate. Sipas saj, rrënimi i murit në veri është zbatim i asaj për çfarë janë marrë vesh në Bruksel. “Zbatimi i asaj që është rënë dakord filloi menjëherë dhe punimet kanë filluar në mënyrë efektive sot. Kjo do të kontribuojë për lirinë e lëvizjes, kontaktin në mes njerëzve dhe përfundimisht pajtimin, si dhe do të përfitojnë të gjithë qytetarët e veriut dhe jugut të Mitrovicës”, ka deklaruar Mogherini. Ajo ka shtuar se “liderët në rajon kanë treguar guxim dhe vizion duke rrënuar mure dhe duke u fokusuar në ndërtimin e urave”. “Kjo është shumë fryma e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka theksuar Mogherini.