Kurti: Lëvizja Vetëvendosje!, partia e parë
“Ndërkohë që nuk e kemi bashkuar Mitrovicën dhe nuk po lejohet bashkimi i ushtrisë në Kosovë që do të mundësonte edhe integritetin territorial”, ka thënë Kurti në studion e “Top Show”
Kurti ka thënë se sipas sondazheve të ndërkombëtarëve dhe disa agjencive, për herë të parë në këtë vit LV-ja del si subjekti i parë në Kosovë. “Në vitin e kaluar kemi qenë rregullisht subjekti i dytë, me pak për qind pas PDK-së dhe gjithnjë para LDK-së dhe tashmë jemi subjekti i parë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me aspektin elektoral, por edhe me protestat tona”, është shprehur Kurti.
Kurti ka thënë se LV-ja ka alternativë qeverisëse. “E kemi dëshmuar edhe në komunën e Prishtinës, por edhe me punën tonë në Parlament, por edhe me faktin që Lëvizja Vetëvendosje ka alternativë qeverisëse. Të tjerët kanë premtime elektorale. Ne kemi plan të detajuar se si do të dukej Kosova e re”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai thotë se beson në një gjë të tillë. “Ne besojmë se Kosova duhet ta ketë të drejtën që të bashkohet me Shqipërinë”, është shprehur Kurti.
Se si mund të ndodhë ky bashkim?, Kurti përgjigjet: “Këtu në rajon duhet të bashkohemi duke me njëri-tjetrin duke krijuar mekanizma të përbashkët, dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për mbledhje të përbashkëta qeverie që vulosim marrëveshje të ndryshme bilaterale si palë të ndryshme, por mekanizma të përbashkëta. Ta zëmë përse të mos e bëjmë një akademi të përbashkët të arteve dhe Shkencave? Përse të mos e bëjmë një regjistër të përbashkët të biznesit? Përse të mos bëjmë një bashkësi të përbashkët islame? Ne mund të bëjmë një mori mekanizmash të tillë, me ç’rast institucionalizohet përfytyrimi ynë i përbashkët si një komb. Dhe unë jam i bindur që po të bëhej një referendum në Kosovë dhe Shqipëri rezultati do të ishte për bashkim”.