Kriza politike në Shqipëri
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se rruga e dialogut mbetet e hapur, por Edi Rama do të hyjë në dialog si kryeministër e do të dalë si i dorëhequr.
Duke folur në çadrën e protestës, Basha tha se 6 ditë më parë është rënë dakord të flitej për formimin e qeverisë teknike. “E ja pra, që vend dhe orë nuk ka patur dhe nuk mund të kishte sepse zgjidhjet e vërteta, jo fasadë, dialogu i vërtetë nuk kanë nevojë vetëm për vendin dhe orën siç takohen të dashurit, po ka nevojë për një program dhe përkushtim serioz për të zgjidhur krizën politike ku e ka futur vendin një qeveri dhe një kryeministër që do të shkatërrojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, mundësinë e vetme për popullin që të vendosë. Të kam thënë në çadër të vish me dorëheqje, po shprehu dëshirën për të ardhur në çadër dhe në këtë çadër të lirisë ku shumicë prej jush thatë se nuk mund të vinte, unë me përgjegjësinë që më keni ngarkuar, ju kërkova ta mirëpresim me dorëheqjen e firmosur për ta bërë pjesë të zgjidhjes atë që është sot i vetmi problem dhe e vetmja pengesë, kryeministrin që refuzon të japë shqiptarëve garancitë për zgjedhjet e lira e të ndershme përmes një qeverie teknike”. Kreu i opozitës i është përgjigjur zërave për largim të aleatëve të tij, duke thënë se janë në besë jo me PD, por me fjalën e dhënë para qytetarëve shqiptarë. “Mirënjohje për të gjithë aleatët tanë. Jo besën me mua, as me PD, por fjalën e dhënë para qytetarëve shqiptarë sepse kjo betejë është vetëm e vetëm për qytetarët shqiptarë. Ka nisur si e tillë dhe duhet patjetër të përfundojë si e tillë. Që të përfundojë si e tillë duhet të shmangim çdo kurth, çdo çark, çdo dredhi që ka për qëllim t’i japë oksigjen republikës së vjetër akoma dhe të shmangë, ndalojë apo ngadalësojë projektin e republikës së re”, theksoi Lulzim Basha. Ndërkohë, vetëm pak minuta pasi kreu i opozitës Lulzim Basha mbajti fjalimin në çadër, kryeministri Edi Rama shkruajti në Twitter për seancën e sotme kuvendore. “Sot në Kuvend nis rruga e Vetingut! Mund ta bllokojnë përkohësisht po s’do ta pengojnë dot popullin të heqë qafe pengmarrësit e drejtësisë”, shkruan Rama në profilin e tij në Twitter. Kreu i Kuvendit Ilir Meta thirri seancën e posaçme për këtë pasdite për ngritjen e komisioneve të Vettingut. Parlamenti ka votuar si anëtarë të komisionit ad-hoc socialistët, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi si dhe deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama. Ndërkohë, Kuvendi nuk ka miratuar caktimin e Shpëtim Idrizit, kreut të PDIU-së si anëtarë të komisionit, duke marrë vetëm 23 vota pro dhe 7 kundër, ndërsa 50 tët tjerë kanë abstenuar. Shpëtimi Idrizi ishte propozuar nga partia e tij për të qenë anëtar i komisionit. Seanca e sotme është ndër më të rëndësishme përsa i përket reformës në drejtësi. Por bojkoti i opozitës e bën të pamundur ngritjen e komisionit njëkohësisht bllokon edhe nisjen e procesit të vettingut. Është pikërisht vettingu, procesi që thuhet se ka ndezur tensionin politik. Të paktën kështu komentohet nga përfaqësuesit e mazhorancës, por dhe ata të opozitës. Vettingu është kryefjalë edhe e ndërkombëtarëve që theksojnë nevojën e zbatimit në mënyrë që Shqipëria të përfitojë hapjen e negociatave për anëtarësim.