Bllokimi i Drejtësisë dëmton të ardhmen e Shqipërisë
Presioni ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vendit është intensifikuar së fundi nga ndërhyrja e dy figurave të larta të BE-së, thuhet në një artikull të "EUReporter".
Zgjedhjet parlamentare mbahen më 18 qershor, por PD ka njoftuar bojkotin e Parlamentit. Ndërsa tani po refuzon edhe të regjistrohet në zgjedhjet e qershorit, duke kërcënuar se do t’i bojkotojë ato derisa një qeveri teknike të formohet dhe të mbikëqyrë zgjedhjet. Këtë të enjte ka pasur dy zhvillime të freskëta dhe tepër domethënëse, në sagën që po zgjat prej muajsh tashmë. Fillimisht u raportua nga mediet vendase se vëllai i kreut të opozitës ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij, në mënyrë që të shmangë procesin e vettingut. Erlind Basha, vëllai i Lulzim Bashës, punonte si nëpunës i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë deri pak javë më parë. Ndërkohë presidenti Bujar Nishani, edhe pse ishte në dijeni të dorëheqjes dhe shkaqeve, ka rënë dakord ta mbajë sekrete këtë çështje. Zhvillimi i dytë ishte pikërisht apelimi i fundit i dy figurave të larta të BE-së për t’i dhënë fund bojkotit parlamentar. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, njëkohësisht zv.presidente e BE-së, Federica Mogherini, si dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn, dhanë një deklaratë të përbashkët mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri. Në të lexohet se europianët “ndiejnë keqardhje për bojkotin parlamentar në Shqipëri dhe për mosregjistrimin e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje. Debati politik nuk duhet të zhvillohet jashtë, por brenda Parlamentit sipas praktikave demokratike. Qytetarët kanë nevojë për udhëheqës të përgjegjshëm”.