Rezultati paraprak i zgjedhjeve në Shqipëri
Shqipëria votoi në 25 qershor për zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare. Pas dorëzimit të materialeve filloi procesi i numërimit të votave.
Pothuajse në të gjithë qarqet janë hapur disa prej kutive të votimit, ku deri tani në avantazh është Partia Socialiste. Ndërsa PD dhe LSI në disa qarqe janë edhe konkurrente për vendin e dytë dhe të tretë. Ajo që bie në sy nga numërimet e parë është qarku i Shkodrës, një bastion i PD ku shumica e votuesve kanë dhënë votën për Partinë Socialiste. Nga të dhënat e KQZ në rang vendi, Partia Socialiste ka marrë 45.621 vota ose 50.24%, e ndjekur nga Partia Demokratike me 24 mijë e 281 vota, ose 26.74%. Partia e tretë renditet Lëvizja Socialiste për Integrim me 15 mijë e 353 vota ose 16.91%. PDIU renditet partia e katërt me 3 577 vota ose 3.94%, e ndjekur nga Libra me 1.10%. Të dhënat janë publikuar nga KQZ në orën 03:15. Nga rezultatet paraprake të KQZ-së, rezulton që të ketë një numër shumë të lartë të votave të pavlefshme. Të paktën 5 mijë shqiptarë, pavarësisht se kanë shkuar pranë qendrës së votimit, kanë preferuar ta kthejnë atë në të pavlefshme. Numri është paraprak, pasi janë numëruar deri më tash (04:55) 846 kuti nga 5 362 të tilla në të gjithë vendin. Lista e atyre që e kanë çuar dëm votën e tyre pritet të rritet e shtimin e kutive të numëruara.