Rama: Nëse BE na largohet, do shohim alternativa të tjera
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për televizionin francez France 24 ka deklaruar se këtë vit pret që të hapen negociatat me BE.
Ai u shpreh se vizioni i Shqipërisë është projekti i BE, por në rast se BE largohet nga kjo ëndërr e shqiptarëve, atëherë do të shikohen alternativa të tjera. Rama theksoi: “Për sa kohë që BE do të jetë objektivi ynë mund të kemi përplasje, por ne jetojmë në Ballkan dhe nuk është befasi që të rikujtojmë të shkuarën, por tani ne po jetojmë periudhën më të mirë dhe kjo për shkak të BE. Po të mos ishte BE, ju nuk do ishit këtu kaq elegante, por do të kishit veshur një xhaketë prej metali. Unë kam thënë një gjë që është e dukshme që BE është në fakt ai që na mban ne sa i përket asaj që ne shikojmë, që BE është frymëzimi. Por në rast se BE do të largohet nga ëndrra që ne kemi, sigurisht ne do të shikojmë alternativa të tjera, ky nuk është vizioni im, dëshira ime apo ajo që unë uroj që do ndodhë, por është një gjë që mund të ndodhë në rast se BE do jetë taktik”. Rama tha se në fund të vitit ka besimin se kanabisi nuk do të ekzistojë më, por do të mbetet në histori. Gjatë intervistës, kreu i qeverisë foli edhe për ekonominë, por edhe për projektin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Përsa i përket negociatave me BE-në, Rama theksoi: “Ne nuk kemi alternativë tjetër. Kështu që ne presim që bisedimet me BE të fillojnë këtë vit. Nuk do çuditesha edhe po të mos fillonin, jo se nuk i bëmë ne detyrat e shtëpisë por sepse nuk mund të mbështetesh te BE përsa i përket angazhimeve me vende si Shqipëria. Megjithatë ajo që mendoj unë është të vazhdojmë me këtë vizion drejt BE, pasi ne në fakt jemi shteti me eurocentrik në Rajon”.