Reagimet pas takimit të rëndësishëm Putin-Vuçiç
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i64889-reagimet_pas_takimit_të_rëndësishëm_putin_vuçiç
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se e ka marrë konfirmimin e Vladimir Putinit se pala ruse është e gatshme të inkuadrohet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 20, 2017 16:43 Europe/Tirane
  • Reagimet pas takimit të rëndësishëm Putin-Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se e ka marrë konfirmimin e Vladimir Putinit se pala ruse është e gatshme të inkuadrohet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së.

“E kemi arritur një lloj marrëveshje, nëse ka tentime dhe qëllime që të zgjerohet formati i pjesëmarrësve dhe ndërmjetësve ndërmjet serbëve, shqiptarëve, Beogradit dhe Prishtinës, dhe nëse amerikanët do të donin të ishin pjesë e këtij formati. Kemi pyetur, a do të kishim pasur guxim të themi se nga ana jonë do të përfshihej Federata Ruse dhe Putin është përgjigjur pozitivisht”, ka thënë Vuçiç. “Për ne kjo është logjike pasi Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur njëanshëm. Ne vetëm duam një raport të barabartë për këtë. Për këtë s’kemi guxuar të flasim më parë, sepse s'e kemi pasur dritën jeshile të organeve shtetërore ruse. Tani këtë e kemi”, ka shtuar ai. Pala kosovare vazhdimisht ka kërkuar që SHBA-ja të përfshihet në dialog. Presidenti Thaçi ka thënë se Uashingtoni do të inkuadrohet në bisedime dhe se për këtë e ka konfirmimin e zëvendëspresidentit Mike Pence. Ndërsa, kryeministri Haradinaj ka thënë se Rusia nuk do të përfshihet pasi ajo është larguar nga këto bisedime në kohën kur ndërmjetësonte Ahtisaari. Gjithashtu, nga Moska mbërrin një sinjal domethënës për Kosovën: Vladimir Putin deklaroi se do të mbështesë çdo zgjidhje të ngërçit shumëvjeçar, me të cilën do të pajtohen Beogradi dhe Prishtina. Kjo është hera e parë, që shefi i Kremlinit shqipton kaq qartë përkrahjen për fundin e një “status quo”-je, të cilën jo më larg se tetori i këtij viti e përdori si argument për të akuzuar Bashkimin Europian për standarde të dyfishta, në vazhdën e refuzimit që BE-ja i bëri pavarësisë së Katalonjës. Komentet e Putinit erdhën në përfundim të takimit në kryeqytetin rus me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, i cili ka dhënë me kohë shenja nga ana e tij se po kërkon që çështja të marrë një drejtim, e këtë e nisi me nismën e dialogut të brendshëm serb. Putin e ritheksoi qëndrimin e Rusisë për të mbështetur tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë, ndërsa këmbënguli se situata në Kosovë duhet të zgjidhet në rrugë politike nëpërmjet dialogut, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.Vuçiç shprehu mirënjohje për qëndrimin e Moskës ndaj çështjes së Kosovës dhe e siguroi homologun rus se, Serbia do të vazhdojë të mbetet ushtarakisht e paanshme. Presidenti serb ka theksuar vazhdimisht se vendi i tij synon integrimin europian, por njëkohësisht dëshiron të ruajë marrëdhëniet me Rusinë, aleate tradicionale e Serbisë, e cila kundërshton po ashtu pavarësinë e Kosovës dhe nuk e sheh me sy të mirë afrimin e vendeve të Europës Juglindore me strukturat euroatlantike. Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve euroamerikane kundër Moskës, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Vuçiç ritheksoi se vendi i tij nuk do ta bëjë kurrë këtë dhe shtoi se i ka kërkuar Putinit t’u bashkohet negociatave për Kosovën, nëse në tryezë do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara.