Kërcënohet çelja e negociatave me BE
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i66219-kërcënohet_çelja_e_negociatave_me_be
Kryeministri Edi Rama duke folur sot në Asamblenë Kombëtare të PS u shpreh se, “po kërcënohet një arritje historike e Shqipërisë, çelja e negociatave në BE. Po kërcënohet nga frika prej reformës në drejtësi”.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 07, 2018 06:16 Europe/Tirane
  • Kërcënohet çelja e negociatave me BE

Kryeministri Edi Rama duke folur sot në Asamblenë Kombëtare të PS u shpreh se, “po kërcënohet një arritje historike e Shqipërisë, çelja e negociatave në BE. Po kërcënohet nga frika prej reformës në drejtësi”.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit sot ta dinë se ky është një stacion optimal për të pozicionuar më në fund Shqipërinë në tryezën e familjes evropiane si një vend që negocion anëtarësimin”, tha Rama. “Strategjia e zgjerimit të KE faktikisht hedh poshtë të gjitha ato parashikime të zymta që Serbia dhe Mali i Zi ishin pjesë e strategjisë dhe Shqipëria me Maqedoninë mbeteshin jashtë pasi Shqipëria është pjesë e strategjisë njësoj si vendet e tjera. Ky stacion është i nevojshëm për të mos kompromentuar strategjinë e KE nga brenda vendit tonë. Diçka e pangjashme me asnjë histori të proceseve të integrimit të vendeve në familjen e përbashkët evropiane”, tha Rama. Kreu i Ekzekutivit tha se “reformën në drejtësi vende të tjera e kanë bërë më parë, por jemi rasti i parë që reforma në drejtësi shqetëson opozitën dhe jo qeverinë”. Kryeministri u shpreh se ky është një stacion i rëndësishëm pasi, “vitin e ardhshëm ka zgjedhje në hierarkinë e BE dhe nuk mund ta lejojmë që në një vit zgjedhor ne të kërcënohemi, pasi vitin ardhshëm nuk ka më kohë dhe vëmendje njeri të merret me ne nëse ne i hapim vetes një gropë mu në pragun e derës ku çelen negociatat për anëtarësim”./ ATSH