Optimizëm tek shqiptarët pas miratimit të ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i66643-optimizëm_tek_shqiptarët_pas_miratimit_të_ligjit_për_gjuhën_shqipe_në_maqedoni
Miratimi nga Parlamenti maqedonas i ligjit për gjuhën shqipe është përshëndetur nga politika në Tiranë.Ilir Meta shkruan në rrjetet sociale se lajmin e ka marrë sapo ka mbërritur në Aeroportin e Ljubljanës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 11, 2018 17:01 Europe/Tirane
  • Optimizëm tek shqiptarët pas miratimit të ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni

Miratimi nga Parlamenti maqedonas i ligjit për gjuhën shqipe është përshëndetur nga politika në Tiranë.Ilir Meta shkruan në rrjetet sociale se lajmin e ka marrë sapo ka mbërritur në Aeroportin e Ljubljanës.

“Mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqip,. një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, thotë Meta.Edhe Lulzim Basha ka zgjedhur rrjetet sociale për të përshëndetur këtë votim në Parlamentin e Maqedonisë. “Është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Përshëndes këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Vlerësoj qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni”, shkruan kreu i PD-së.Edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, por përmes rrjeteve sociale ka përshëndetur këtë votim. “Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët dhe hap përpara për demokratizimin e Maqedonisë. Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje”, shkruan kreu i diplomacisë shqiptare. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur lajmin për Miratimin e Ligjit për përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë. “Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është lajm i gëzueshëm dhe arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Njëkohësisht, është hap i rëndësishëm për tërë rajonin dhe të ardhmen euroatlantike. Ndërtimi i harmonisë ndëretnike promovon paqe dhe stabilitet rajonal. Maqedonia sot e ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë për ndërtimin e një të ardhme të ndritur për të gjithë”, ka thënë Haradinaj. Në Parlamentin e Maqedonisë u votua sot Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Të 69 deputetët e pranishëm në sallën plenare votuan pro ligjit, nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Ndërkohë që partia opozitare VMRO-DPMNE duke ecilësuar ligjin si anti-kushtetues e bojkotoi votimin, të gjithë deputetët e saj dolën nga salla plenare në ´kohën e votimit. Sipas ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës. Gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Përdorim të njejtë të gjuhës shqipe do të ketë edhe në parlament, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet e tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë dhe drejtoritë. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore. Për ato institucione që nuk do të zbatojnë këto ndryshime ligjore, do të shqiptohen gjoba prej 4 deri në 5 mijë Euro. Ndërsa, ndaj zyrtarëve ose administratorëve që nuk e respektojnë këtë parim do t'u zbritet 30 për qind nga rroga. Për të implementuar tërësisht dygjuhësinë do të nevojiten afro 2 milionë Euro që tani më janë suguruar nga buxheti i vitit 2018. Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga presidenti Gjorge Ivanov, i cili në disa paraqitje ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e refuzimit të ligjit.