Protesta përballë parlamentit të Greqisë
Me mijëra banorë të Athinës në mbështetje të grevës së përgjithshme në të gjithë vendin, janë ngritur në protesta përballë parlamentit të Greqisë.
Greqia është paralizuar nga një grevë e përgjithshme 24 orëshe, e dyta që nga e premtja. Asnjë nga mjetet e transportit nuk ka funksionuar dhe kjo ka shkaktuar një kaos të vërtetë për trafikun e kryeqytetit Athinë. Në grevë u përfshinë edhe kontrollorët e trafikut ajror. Shumë fluturime të linjave të brendshme nuk u kryen, ndërdsa ka pasur ndryshime orari për dhjetëra linja të tjera, përfshirë ato ndërkombëtare. Greva e re u zhvillua në ditën që parlamenti grek u ftua të votojë paketën e masave të reja shtrënguese, si kusht për çlirimin e kësteve të mbetura nga 86 miliardë eurot që kanë ofruar kreditorët ndërkombëtare për shpëtimin e vendit. Greva u organizua nga dy unionet më të mëdha sindikale në vend që përfshijnë punonjësit e sektorit publik dhe të atij privat. Sindikalistët nënvizojnë se paketa e re e masave “do të shpërbëjë edhe ato mbetje të pakta të shtetit social që kishin shpëtuar gjatë viteve të krizës”. Sindikalistët i ftojnë punonjësit e të gjithë vendit që t’u bashkohen protestave, “për të shprehur kundërshtimin ndaj politikës anti popullore të qeverisë”.