BE-ja optimiste për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd
Bashkimi Evropian ka mirëpritur gatishmërinë e presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, për të vazhduar me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Sipas saj, gatishmëria e Serbisë dhe e Kosovës për vazhdimin e dialogut është konfirmuar me bisedën telefonike, që kanë zhvilluar Thaçi dhe Vuçiq të mërkurën. Kocijançiq tha se po punohet në caktimin e takimit të ri në nivel teknik, i cili është anuluar të martën, pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. "Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në dialog është detyrim i të dyja palëve. Një gjë e tillë është vendimtare edhe për shpejtësinë me të cilën do të përparojnë dy vendet në rrugën evropiane", tha Kocijançiq. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun serb Aleksandar Vuçiç, të fokusuar në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, por ku nuk la pa u përmendur edhe vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtesia” (SDP) Oliver Ivanoviç. Duket se të dy presidentët janë pajtuar me idenë se autoriteteve kompetente u duhet lënë koha e nevojshme në dispozicion që të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është anuluar për një kohë të pacaktuar, kjo me kërkesë të palës serbe e cila pas vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se nuk do të ketë vazhdim të dialogut deri sa të zbardhet ky rast. Lidhur me këtë “kusht” të Serbisë që mos të ketë vazhdim të dialogut deri në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit, analistët e cilësojnë si pretekst i shtetit fqinj para ndërkombëtarëve për të treguar se gjoja qytetarët serbë në Kosovë janë të rrezikuar. Pala serbe dëshiron të denigrojë edhe më shumë politikën e Kosovës. Serbia dëshiron të ngarkojë me përgjegjësi Kosovën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit duke drejtuar gishtin akuzues kah Kosova për një vrasje që nuk është ndriçuar ende. Ajo ka plane të tjera rreth dialogut por dëshiron të përdorë vrasjen si një pretekst para opinionit publik ndërkombëtar për të treguar se sa janë gjoja të rrezikuar serbet në shtetin e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se dialogu Kosovë-Serbi është pa alternativë dhe si i tillë duhet të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, në përmbylljen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe me përfundimin e shpejtë të këtij procesi, i cili duhet të rezultojë me marrëveshje gjithëpërfshirës, që çon drejt njohjes ndërmjet dy shteteve.