Shpresë e re për zgjidhjen e kontestit Athinë-Shkup
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i67795-shpresë_e_re_për_zgjidhjen_e_kontestit_athinë_shkup
Ndërmjetësi i OKB-së për emrin e Maqedonisë, Matthew Nimetz mbërrin javën e ardhshme në rajonin e Ballkanit për të matur pulsin e qeverisë maqedonase dhe asaj greke, mbi zgjidhjen e ngërçit afatgjatë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 27, 2018 15:18 Europe/Tirane
  • Shpresë e re për zgjidhjen e kontestit Athinë-Shkup

Ndërmjetësi i OKB-së për emrin e Maqedonisë, Matthew Nimetz mbërrin javën e ardhshme në rajonin e Ballkanit për të matur pulsin e qeverisë maqedonase dhe asaj greke, mbi zgjidhjen e ngërçit afatgjatë.

Udhëtimin e tij e nxiti optimizmi në rritje mbi gjetjen e një rrugëdaljeje, të cilin e ushqeu në mënyrë të veçantë takimi i Alexis Tsipras me Zoran Zaev në Davos të Zvicrës dhe lëshimi i bërë prej këtij të fundit për ndryshimin e emrit të Aeroportit të Shkupit. Nimetz, më së pari do të vizitojë Athinën, ndoshta të hënën apo të martën, përpara se të marrë rrugën e Shkupit nga mesi i javës. Gjatë kësaj ndalese, zytari i Kombeve të Bashkuara do të ketë takime me krerët e ekzekutivëve të të dyja vendeve, si dhe me ministrat e tyre të Jashtëm, të cilët pritet të angazhohen drejtpërdrejt në bisedimet e emrit, që duket se deri tani po ecin mirë. Në raundin e fundit të negociatave, të mbajtura në Nju Jork më 18 janar, Nimetz u paraqiti palëve disa ide të reja, me shpresën se do të ndihmojnë në kapërcimin e mosmarrëveshjeve. Ai nuk i bëri publike propozimet e veta, duke pohuar vetëm se ato nuk janë krejtësisht të reja, por tani po prezantohen në një tjetër kontekst, duke iu referuar kështu ndryshimit të rrethanave politike dhe toneve të optimizmit që kanë përfshirë të dyja palët. Si shtypi grek, ashtu edhe ai maqedonas, raportojnë se paketa e Nimetz përmbante 5 alternativa të një emri të ri të Maqedonisë për përdorim ndërkombëtar. Sipas një informacioni të gazetës së Athinës Real News, që nuk është përgënjeshtruar, ndërmjetësuesi i OKB-së, Nimetz gjatë tri ditëve të ardhshme do të paraqesë propozime alternativë në kontestin për emrin: Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia e Vardarit. Propozimi i tretë të kujton lumin qendror maqedonas, Vardar, dhe duket si i pranueshëm për grekët konservatorë, sepse ai nuk zgjon asnjë asosacion me historinë greke. Por kryetari i partisë më të madhe greke Nea Dimokratia, pas takimit me kryeministrin Tsipras e hodhi poshtë mundësinë për t’i dhënë përkrahje Qeverisë greke për formimin e konsenzusit të gjerë kombëtar për çështjen e emrit. Kyriakos Mitsotakis pas takimit me Alexis Tsipras, ka dërguar kritika për mënyrën në të cilën Qeveria greke udhëheq me çështjen konkrete. Ai tha se janë bërë lëshime pa përfitime konkrete dhe të përhershme, ndërsa Tsipras në vend se të krijojë front të fuqishëm kombëtar, në vend të parë e ka vendosur partinë dhe “në atë mënyrë e mbyll dritaren e mundësisë që rrethanat e ofruan për shfrytëzim”. Kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë kanë rënë dakord të vendosin nën kujdesin e tyre negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit. Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev janë takuar për më shumë se dy orë gjatë punimeve të forumit ekonomik ndërkombëtar në Davos të Zvicrës. “Ramë dakord për nevojën e një emri të përbërë që do të përdoret kundrejt të gjithëve dhe në këtë drejtim vendosëm të intensifikojmë dhe të marrim në patronazhin tonë negociatat që po zhvillohen në kuadër të OKB-së”, njoftoi pas takimit Kryeministri grek. Tsipras ndërkaq nënvizoi që, për të avancuar procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe integrimi europian i vendit fqinj, “duhet të gjejmë zgjidhje për gjithë çështjet e hapura”. “Ne nuk duam thjesht të zgjidhim çështjen e emrit, por dëshirojmë t’i vendosim në themele të qëndrueshme marrëdhëniet midis dy vendeve tona”, deklaroi më tej Tsipras, duke shtuar se homologu maqedonas i tha që është i gatshëm të ndërmarrë menjëherë iniciativa të rëndësishme në këtë drejtim. Në deklaratat e përbashkëta para gazetarëve, Zoran Zaev, nënvizoi rëndësinë që ka për vendin e tij anëtarësimi në NATO dhe në BE. “Zgjidhja përfundimtare duhet të jetë e pranueshme nga të dy palët, të marrë parasysh interesat e të dy palëve, në respekt të ndjeshmërive dhe dinjitetit kombëtar të të dy popujve”, tha Kryeministri maqedonas. Zaev shtoi se “në shenjë vullneti të mirë Qeveria jonë do të ndryshojë emrin e aeroportit dhe të autostradës që do të quhet “Miqësia”, për të treguar në praktikë se jemi plotësisht të vendosur në gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen me Greqinë”, deklaroi Zaev. Aktualisht aeroporti dhe autostrada kanë emrin "Aleksandri i Madh", gjë që kundërshtohet vazhdimisht nga Greqia, si shenjë e uzurpimit të trashëgimisë helene.