Thellohet kriza politike në Shqipëri në klimën e protestave popullore
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i67865-thellohet_kriza_politike_në_shqipëri_në_klimën_e_protestave_popullore
Dy partitë kryesore në opozitë PD dhe LSI drejtuan në bulevardin kryesor të Tiranës mijëra mbështetës dhe simpatizantë të tyre nga e gjithë Shqipëria në një protestë kundër qeverisë Rama 2 dhe kërkuan dorëheqjen e saj.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 28, 2018 15:11 Europe/Tirane
  • Thellohet kriza politike në Shqipëri në klimën e protestave popullore

Dy partitë kryesore në opozitë PD dhe LSI drejtuan në bulevardin kryesor të Tiranës mijëra mbështetës dhe simpatizantë të tyre nga e gjithë Shqipëria në një protestë kundër qeverisë Rama 2 dhe kërkuan dorëheqjen e saj.

Akuza kryesore e Partisë Demokratike (PD) dhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), e para e  djathtë dhe dyta e majtë, është lidhja e qeverise aktuale me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.  Protestës kundër qeverisë iu bashkuan edhe disa parti të vogla opozitare, që nuk përfaqësohen në parlament. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe rrëzimin e qeverisë. Protesta e opozitës ishte e para jo elektorale pas një viti. Kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen në protestën e të shtunës. Sipas tij, bashkimi i qytetarëve kishte një mesazh të qartë për qeverinë. “Mesazhi i protestës është mesazhi i qartë se shumica dërmuese e shqiptarëve e refuzojnë qeverinë e bandave, qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, që janë shkaku i varfërisë, i padrejtësisë, i papunësisë, i çmimeve të larta, i taksave të larta, i rrënimit të shëndetësisë dhe arsimit, i gjendjes ku ndodhen sot studentët dhe pensionistët, të rinj e të reja, të moshuar, intelektualë, të papunë dhe fermerë. Është një mesazh i fuqishëm mbështetje për opozitën dhe kauzën dhe objektivin tonë për një qeveri antimafia e cila do të shkëpusë lidhjet e krimit me pushtetin dhe do të organizojë përmes një reforme zgjedhore zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të pacenuar nga krimi, nga bandat dhe nga shitblerja e votës”, u shpreh kreu i PD. Protesta konsiderohet  si  një tregues se sa mbështetës ka forca kryesore opozitare PD pas humbjes së  rëndë në  zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit të kaluar. Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve PD-ja mori në ato zgjedhje vetëm 30,63 të votave të elektoratit  kurse PS 41,6 %. Përjashtimi prej listës së deputetëve nga lideri i PD-së Lulzim Basha i personaliteteve të kësaj partie, që nga ish-kryetarja e Parlamentit Topalli, ish-kryetari i grupit parlamentar Patozi, ish-ministrja e Integrimit Europian Bregu, që kanë qëndrime kritike ndaj Bashës për mungesë demokracie dhe manipulim të votave në rizgjedhjen e tij kryetar pas humbjes së zgjedhjeve të verës së kaluar, konsiderohen nga analistët e Tiranës si faktorë që kanë ulur ndjeshëm mbështetjen e elektoratit të djathtë ndaj PD-së. Protesta në Tiranë u parapri nga akuza e ish-kreut të PD-së, Sali Berisha ndaj ambasadorit të SHBA dhe ndaj kreut të Delegacionit të BE-së në Tiranë. Në një program të ndjekur televiziv Berisha deklaroi se ambasadori amerikan Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin "janë bërë palë me kryeministrin Rama, e mbrojnë atë dhe nuk lënë rast pa sulmuar opozitën”. Në këtë kontekst kryetari i PD, Lulzim Basha u bëri thirrje sot ambasadorëve që të kenë parasysh që Shqipëria aktuale është "një diktaturë europiane”. Por muajin e kaluar Jahannes Hahn, Komisioneri i BE-së për Politikat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë së Mirë deklaroi se Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe në prag të hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE, nëse do të ketë rezultate konkrete dhe të pakthyeshme të reformës në drejtësi. Në Shqipëri ka filluar vettingu i prokurorëve dhe i gjyqtarëve dhe është zgjedhur nga Parlamenti kryeprokurorja e përkohshme,  proces i mbështetur nga SHBA-ja dhe BE-ja, por që sipas opozitës është antikushtetues.