10-vjetori i pavarësisë së Kosovës
Sot qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, festojnë 10-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, monumenti NEWBORN ka marrë pamje të re që është punuar mjaft bukur për këtë 10-të Vjetor.
Ndryshe, për nder të kësaj dite do të ketë aktivitete të ndryshe në të gjitha komunat e Kosovës, kurse seanca solemne e Kuvendit të Kosovës dhe marshimi i trupave të FSK-së, do të jetë sot, më 18 shkurt. Dhjetë vite më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Republikës, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u realizuar dëshira shekullore të shqiptarëve për të fituar pavarësinë. Presidenti Ilir Meta ka uruar sot Presidentin Thaçi me rastin e 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në urimin e tij, Presidenti Meta shprehet se “me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të ngrohta vëllazërore”. Duke folur për përparimin e Kosovës dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkëpunimin për integrimin euro-atlantike, Meta shprehet se “në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtetndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë. Jam gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë. Më tej, Meta shprehet se “kam bindjen e thellë se, vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar”. Po ashtu, Presidenti Meta garanton Presidentin Thaçi se institucionet e Shqipërisë do mbështesin Kosovën. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë një urim për 10-vejtorin e Pavarësisë. Në një status në FB, kreu i shtetit të Kosovës thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më i lartë politik që kurorëzoi përpjekjet tona historike. Thaçi shprehet se "në këtë vit jubilar zotohemi se do ta ndërtojmë edhe më shumë shtetin tonë, në të cilin do të ndjehen mirë te gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie dhe religjioni". Sot Kosova ka festën më të madhe, ditën e Pavarësisë. Dhjetë vjet më parë realizuam ëndrrën e madhe që krahas lirisë, Kosova të bëhet shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më i lartë politik që kurorëzoi përpjekjet tona historike, sakrificën dhe synimin për të hyrë në familjen e kombeve të lira dhe sovrane. Pavarësia e Kosovës u njoh menjëherë nga shtetet mike më të fuqishme të botës demokratike, duke hapur perspektivë të re për qytetarët dhe institucionet tona. Sot, të gjithë qytetarët tanë festojnë me krenari dhe dinjitet kudo që gjenden në Kosovë, diasporë dhe kudo në trojet shqiptare. Sot, më shumë se çdo herë qytetarët tanë kujtojnë vlerat supreme të sakrificës për liri të të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë në periudha të ndryshme të historisë së pasur të popullit tonë. Duke pasur parasysh këtë sakrificë, në këtë vit jubilar zotohemi se do ta ndërtojmë edhe më shumë shtetin tonë, në të cilin do të ndjehen mirë te gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie dhe religjioni. Kosova është shtet i përjetshëm, është atdheu ynë i përbashkët në të cilin do ta ndërtojmë lumturinë, prosperitetin dhe perspektivën e ndritur për ne dhe brezat që do vijnë pas nesh. Kosova është vend i bekuar që ka miq të fuqishëm në botë. Të gjithë qytetarëve tanë u shpreh urimet më të mira në përvejtorin e dhjetë të pavrësisë së Kosovës.
Gëzuar!