Anti-amerikani serb që sulmoi ambasadën e SHBA në Podgoricë
Njeriu që hodhi një bombë në kompleksin e ambasadës së SHBA në Podgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi dhe pastaj vrau veten, ishte një ish-ushtar i dekoruar në vitin 1999, nga regjimi serb i Sllobodan Milloshevic pas bombardimeve të NATO-së, tha një zyrtar policie të enjten, i cituar nga Associated Press.
Zyrtari, duke folur në kushte anonimati për shkak të hetimeve në vazhdim, tha se burri ishte 43-vjeçari Dalibor Jaukoviç, i cili u identifikua nga një i afërm i ngushtë. Policia tha në një deklaratë më parë se një sulmues hodhi një bombë në oborrin e ambasadës dhe pastaj kreu vetëvrasje duke aktivizuar një tjetër rreth mesnatës së të mërkurës. Shpërthimi krijoi një krater, por nuk shkaktoi ndonjë dëm tjetër material në pronën e ambasadës, tha deklarata. Ambasada tha të enjten se i gjithë stafi ishte i sigurt pas incidentit. Policia mbylli zonën rreth ambasadës pas shpërthimit. Zyrtarët erdhën në vendin e ngjarjes pas marrjes së raporteve për një shpërthim dhe gjetën një trup mashkull pa jetë në zonën e lumit Moraca që kalon nëpër Podgoricë, tha deklarata. Sulmuesi i dyshuar, Jaukoviç, lindi në qytetin qendror serb të Kraljevës por jetonte në Podgoricë. Fotografitë e postuara në profilin e tij në Facebook përfshijnë një pllakatë ku nderohej për kontributin e tij në luftën kundër NATO-s gjatë bombardimeve. Pllaka duket se është nënshkruar personalisht nga Millosheviç. Në një postim në Facebook në maj 2017, Jaukoviç shkruante "Jo në NATO". Ambasada amerikane i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës. Autoritetet malazeze janë duke punuar për të zbardhur ngjarjen.